Amnistoni çdo shqiptar pa vizë që punon në mënyrë të ndershme në Britaninë e Madhe

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka takuar gjatë vizitës së bashku me Kryeministrin Rama në Londër me Sekretaren britanike të Punëve të Brendshme, Suella Braverman.
Në njoftimin për mediat, thuhet se, Çuçi ka shprehur shqetësim në lidhje me gjuhën që Braverman ka përdorur ndaj shqiptarëve, duke i quajtur ata kriminelë. Çuçi po ashtu i ka propozuar homologes britanike të amnistojë shqiptarët pa viza që punojnë ndershmërisht në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ndava me homologen time shqetësimin se është e patolerueshme që komuniteti shqiptar të veçohet dhe stereotipizohet vetëm nga disa personazhe të botës ilegale. Qasja jonë është se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve legale. Në këtë pikë i kërkova homologes Braverman të rishikojnë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. I kërkova gjithashtu të amnistojë çdo shqiptar pa vizë, por që punon në mënyrë të ndershme dhe nuk ka rekorde kriminale në ngarkim”, deklaroi ministri Çuçi.