Politikë

Analizë/ Sot me Biden ndryshon rrjedhë Amerika dhe pse Shqipëria mund të jetë një përfituese e madhe

Analizë/ Sot me Biden ndryshon rrjedhë Amerika dhe pse Shqipëria

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka bërë një analizë të asaj çka pritet të ndodhë pas marrjes zyrtarisht të detyrës nga Joe Biden.

Kina, G7, por sidomos Ballkani dhe Shqipëria për të cilën ka edhe një rrëfim personal.

Bushati vlerëson se jo vetëm Biden, por edhe ekipi i tij për marrëdhëniet me jashtë është inkurajues për rajonin tonë.

Lexo të plotë:

Sot është një ditë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë botën. Fituesi i zgjedhjeve presidenciale, Joe Biden, merr zyrtarisht detyrën si presidenti i 46-të i vendit. Ai mori 306 vota elektorale dhe më shumë se 81 milion vota popullore, duke thyer çdo rekord të zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Në klimën e polarizuar dhe aktet e dhunës që shoqëruan kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve, duket se sfida më e madhe politike për Presidentin Biden është normalizimi i mosmarrëveshjeve politike. Krahas stabilizimit të brendshëm, kjo sfidë ka të bëjë edhe me forcën tërheqëse të modelit që përfaqësojnë SHBA-të në botë.

Si pasojë e Pandemisë COVID-19, bota është në dhëmbët e krizës më të rëndë që ka përjetuar që prej Luftës së Dytë Botërore. Në planin ndërkombëtar, SHBA-të mbeten aktori më i fuqishmëm. Kina është një konkurrent gjithnjë e më sfidues, me të cilën SHBA-të do të përballen në një rivalitet më së shumti teknologjik. Nga ana tjetër, ndikimi i Rusisë, kryesisht në kufijtë e NATO-s, rikthen vëmendjen për një angazhim të strukturuar me të.

Në këtë kontekst, ripërtëritja e aleancës euro-atlantike, sikundër rikthimi aktiv i SHBA-vë në disa nisma të rëndësishme shumëpalëshe pritet të marrë përparësi me administratën Biden. Viti 2021 do të jetë interesant për të testuar edhe ndërveprimin e SHBA-ve me vendet e G7. Gjermania dhe Japonia, dy aleatë të pazëvendësueshëm të SHBA-ve, respektivisht në Europë dhe Azi, tradicionalisht të njohura për qëndrueshmërinë e tyre, janë përfshirë në proceset e ndryshimit të drejtuesve politik.

Për fatin tonë të mirë, rajoni ynë nuk është i huaj për Presidentin Biden. Përkundrazi! Krahas njohurive të thella për rajonin, ai ka edhe një lidhje shpirtërore, veçanërisht me Kosovën. Do të mbetet gjithnjë e pashlyer në memorien time - teksa shoqëroja kryeministrin Rama në takimin me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, më 14 Prill 2016, - ndjeshmëria e Zëvendës Presidentit Biden për historinë e dhimbshme të Ballkanit dhe angazhimi i tij për paqen dhe transformimin e rajonit në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Pikërisht, kjo lidhje e tij me rajonin, sikundër dhe e ekipit përgjegjës për politikën e jashtme dhe të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, janë inkurajuese për një vëmendje të shtuar të SHBA-ve në rajonin tonë dhe për një bashkëveprim më të ngushtë me BE-në, duke e konsideruar procesin e transformimit të Ballkanit dhe anëtarësimit në BE, një punë të papërfunduar. Për ne, ky është një moment i rëndësishëm që duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht, duke pasur në vëmendje rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për stabilitetin demokratik në Shqipëri dhe rajon.