Politikë

Argita Berisha flet në Kuvendin Kombëtar: Diku ne gabuam! Sot vendi në rrezik

Argita Berisha flet në Kuvendin Kombëtar: Diku ne gabuam! Sot vendi

Për herë të parë, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ishte e pranishme edhe Argita Berisha.

Vajza e Berishës mbajti edhe një fjalim nga podiumi ku u shpreh se vendi është në rrezik e duke marrë përsipër një pjesë të fajit.

"Diku ne gabuam.

Secili prej nesh u përpoq shumë dhe rendi drejt sigurisë ekonomike, por harruam një mësim të historisë të cilin e kemi përjetuar: të drejtat politike janë thelbësore për ushtrimin e lirive ekonomike", tha Argita Berisha.

Fjala e plotë

Jam mirënjohëse që jam sot para jush, jo vetëm si një mbështetëse e Partisë Demokratike, por edhe si nënë e katër fëmijëve dhe një nga mijëra profesionistët e shtresës së mesme, që kanë punuar në profesionet e tyre me besimin e zhvillimit të një vendi më të prospertë, të një të ardhmeje më të mire.

Sot pas 10 vitesh, 1 miljon Shqiptare jane larguar nga vendi. Varferia eshte rritur frikshem e konkuron me krimin.

Diku ne gabuam.

Secili prej nesh u përpoq shumë dhe rendi drejt sigurisë ekonomike, por harruam një mësim të historisë të cilin e kemi përjetuar: të drejtat politike janë thelbësore për ushtrimin e lirive ekonomike. Nëse lejojmë kufizimin e tyre ne rrezikojmë të ri-biem në diktaturë të ngjashme me atë që kemi përjetuar. Me një dallim: sot ne n’a lejohet të lëmë gjithçka dhe të ikim.

Të largojmë gjënë më të shtrenjtë – fëmijët tanë, gëzimin e vatrave tona, të ardhmen e vendit. Kjo nuk quhet zgjedhje, ky është nënshtrim, përdhosje e të drejtave tona. Në vitet ’90 kam marrë pjesë aktive në të gjithë ngjarjet e lëvizjes së dhjetorit dhe muajve që pasuan, pa pasur asnjë qëllim angazhimi në politikë, dhe në fakt – për shkak të moshës – pa pasur as edhe pretendime ekonomike.

Ajo që nuk mund të pranoja dhe që më bënte absolutisht të vendosur në qëndresën time ishte mohimi i lirive politike– e drejta e fjalës, e drejta e mendimit ndryshe, e zgjedhjes së mënyrës së jetesës, e shkollimit, e drejta e besimit. Ne e refuzuam këtë sepse donim të jetonim si njerëz të lirë, me dinjitet. Ne hymë në grevë urie për heqjen e emrit të Enver Hoxhes nga UT, si një provë force ndaj rregjimit dhe fituam.

Ne pra, ishim brezi që ditëm të qëndronim dhe fituam ndaj diktaturës më të egër të lindjes. Fituam sepse guxuam! sepse qëndruam! sepse u bëmë bashkë! Pyes përsëri veten, çfarë n’a ndodhi? Në cilën pikë të rrugëtimit tonë gabuam që erdhëm në këtë gjendje. Pse nuk qemë të aftë të krijojmë një shtëpi, një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë në këtë vend.

Ndoshta sepse në një moment, ne i thamë vetes se misioni ynë u krye, se rruga jonë e ngushtë e profesionit, apo puna e secilit, qe më e rëndësishme dhe e pavarur nga rruga e gjerë, e përbashkët e të gjithëve. Se nuk kemi mundësi, kohë apo se nuk ia vlen të ngresh zërin për çdo gjë, se nuk ia vlen të kundërshtosh një të keqe që nuk të prek direkt në një moment. Por e keqja forcohet nga indiferenca jonë dhe ajo u bë gjithnjë e më imponuese.

Ne dënuam veten me pasojat me të cilat sot përballemi, në momentin kur zgjodhëm lëvozhgën pavarësisht thelbit. Kur nuk u ngritëm për më të pamundurit, që mbushën qelitë për faturat e dritave, ne nuk pamë se e keqja shpejt do trokiste në dyert e atyre që ishin jo thjesht konsumatorë, por gjeneratorë të ekonomisë.

Kur puna në parcelat e kanabisit u bë bujqësia e re, ne injoruam faktin që krimi shpejt do të përhapej në çdo cep rruge e do të kërcënonte fëmijët tanë. Kur spitalet tona ndaluan së ofruari ilaçe dhe trajtim për sëmundjet ne nuk ngritëm zërin t’a kërkonim fuqishëm këtë të drejtë që n’a takon, por kërkuam alternativa jashtë vendit. Kur pushteti ndërhyri në çdo të dhënë personale do të kish qenë në dinjitetin e çdo njeriu të lirë ta shkundte nga themelet kalbësirën që kërkon të n’a dominojë, por ne u tutëm dhe thamë se këta të bëjnë çdo gjë.

Kur arsimi degradoi rrokullimthi, kur rruga u bë kërcënim i përditshëm, kur krimi pushtoi ekonominë dhe mori në dorë qeverisjen e vendit, me heshtjen tonë ne lame në baltë të ardhmen e fëmijëve tanë.

Gritschneder thotë se “Popujt qe flenë ne demokraci, rrezikojnë të zgjohen në diktaturë”. Ne harruam se çfarë kishim qenë të aftë të bënim –ne, – brezi që rrëzoi një diktaturë dhe që ngriti nga hiçi një ekonomi tregu. Ne kemi ditur të ngrihemi dhe të luftojmë, por lejuam të keqen që erdhi nga kreu, të shtrihej e kapilarizohej në shoqëri dhe sot e gjejmë veten të ngërthyer prej saj. Ajo që është më e pafalshme është mësimi, shembulli që u lamë fëmijëve tanë. Ndryshe nga sa kishim bërë vetë 30 vite më parë, ne deshëm të evitonim përballjen e tyre me të keqen. U mësuam atyre se është më mirë të ikin e t’i përvidhen të keqes sesa të përballen e t’a mundin atë.

Por kjo është rruga e nënshtrimit, e kurrizpërthyerjes.

Nëse ne nuk u mësojmë atyre se si të përballen, fëmijët tanë rrezikojnë, të jenë një ushtri të frikësuarish e të nënshtruarish të shpërndarë nëpër botë, pavarësisht sa të pasur apo të shkolluar mund të bëhen.

A është detyra jonë që sot edhe një here, në emër të misionit prindëror, t’a bëjmë këtë betejë për fëmijët tanë?T’u mësojmë atyre qëndresën ndaj të keqes, përballjen me dinjitet. Për t’u dhënë një trashëgimi që do t’u vlejë pavarësisht vendit ku do jetojnë. Nëse sot shpresa është vrarë, është detyra jonë t’a kthejmë atë. Të tregojmë se ikja nuk është zgjidhja, se njeriu mund të arrijë çdo majë nëse beson, të mundë çdo të keqe nëse qëndron dhe guxon.

Fëmijët tanë shkojnë në vende ku punësimi, shëndetësia, shkollimi ofrojnë siguri, por ne nuk duhet t’a lëmë shtëpinë e tyre të shkretohet. Kjo tokë është trashëgimia e tyre me ligjin natyror – ajo që u ka dhënë Zoti kur erdhën në këtë botë. Ata mund të bëhen më të pasur e më të zotë atje ku janë, por kjo mbetet shtëpia e tyre.

Eshtë detyra jonë të mbajmë hapur shtëpinë për ta. Të kthehemi dhe të korrigjojmë gabimet tona, të rregullojmë atë që u prish edhe nga indiferenca jonë ndaj së keqes. Që një ditë, kur ata të kthehen t’a gjejnë shtëpinë e tyre mikpritëse dhe ftuese. Kjo kërkon që ne të ngrihemi dhe një here, tashmë jo më për vete, por për fëmijët tanë. Partia Demokratike ka qenë gjithnjë parti e frymës. Ndaj unë kam besim se në radhët e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, më shumë se kudo tjetër, ka idealistë që, njësoj si 30 vite më parë, kanë brenda vetes forcën dhe motivimin për t’u ngritur dhe për të bërë ndryshimin.

Jam e bindur se nevoja për të risjellë ligjshmërinë dhe shpresën tejkalon interesat politikë dhe është tashmë kërkesë e të majtëve dhe të djathtëve.

Sot është koha e aksionit për çdo njeri. Çrrënjosja e të keqes, çlirimi i shpresës nga vargonjtë e krimit do të jetë ndoshta arritja e dytë madhore e brezave që dikur rrëzuan një diktaturë. Për të realizuar një projekt madhor nuk nevojitet që të gjithë të bëjnë plane e veprime të mëdha, por që të gjithë të punojmë për një projekt të përbashkët dhe që secili nga ne të mbajë qoftë edhe veç një gur në ndërtimin e tij – gurin e besimit, të veprimit, të shpresës, apo të bashkimit.

U drejtohem në mënyrë të veçantë grave, nënave. Ju që jeni fortesat dhe zemra e shtëpive tuaja, ju jeni mjaftueshëm të forta për t’a ringritur shtëpinë tonë të madhe, të përbashkët. Ju jeni të afta të bëni ndryshimin, ndaj bëhuni balli I aksionit për ndryshim të Partisë Demokratike dhe jepini asaj energjinë tuaj. Ju që njihni hallin e çdo shtëpie të lagjes suaj, bëjini ato shqetësimin tonë të përbashkët, në mënyrë që t’u ktheni njerëzve shpresën e lehtësimit.

Ju që thurrni ëndrra për fëmijët tuaj dhe njihni ëndrrat e tyre më mirë se kushdo, sillini ato që kjo force t’i kthejë në projekte të shpresës së Shqipërisë. Ju që keni ngritur familjet tuaja, bashkoni forcën tuaj në aksionin politik të Partisë Demokratike që të ngremë dhe një here së bashku të ardhmen e Shqipërisë dhe të kthejmë shpresën nën kulmin e saj. Si njëra prej jush unë unë e di forcën që ju mbartni, energjinë që ju përcillni.

Unë e di se me ndihmën e Zotit, nuk ka qëllim që njeriu nuk mund t’a arrijë, nuk ka të keqe që ne nuk e mundim dot. Por, guximi dhe qendresa jane djepi i FITORES! NDAJ Le të ngrihemi edhe një here për shtëpinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.