Balluku: Nuk do të ketë rritje të energjisë elektrike

Qeveria nuk po planifikon asnjë rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Kështu është shprehur ministrja Belinda Balluku në një intervistë për A2CNN.
“Kryeministri nuk tha që do të diskutohet tarifa, pasi tarifën ne e kemi deklaruar në vitin më të zi për energjinë në mbarë botën, 2022, dhe treguam që ndryshe nga vendet e tjera europiane tarifa familjare dhe për bizneset e vogla dhe të mesme nuk u prek. Dhe kur nuk u prek vjet, imagjinoni sa mund të preket sivjet”, deklaroi Balluku.
Zv/kryeministrja deklaroi se me ardhjen e sezonit veror, situata energjetike përkeqësohet për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit që mbështeten mbi prodhimin nga hidrocentralet. Ky moment, do të shtyjë qeverinë të nisë një analizë të situatës dhe të shqyrtojë nëse do të aplikojë fashat. Edhe pse sipas Ballukut, të gjithë treguesit flasin për një probabilitet të ulët që kjo të ndodhë.