Politikë

Basha: E diela, dita e çlirimit nga oligarkët

Basha: E diela, dita e çlirimit nga oligarkët

Kreu i PD, Lulzim Basha duke folur në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale nga sheshi “Nënë Tereza” është shprehur se vota e 25 Prillit është “fundi i një dimri” 8-vjeçar, si dhe i çlirimit të njerëzve të ndershëm që sipas liderit demokrat janë “plaçkitur nga një grusht oligarkësh”

Pjesë nga fjalimi i Bashës:

Ky shesh është një përgjegjësi e jashtëzakonshme për mua, për ekipin tim të mrekullueshëm për t’iu shërbyer dhe për të bërë realitet ëndrrat tuaja, ambiciet tuaja për ta çuar Shqipërinë përpara në gjirin e Europës, asaj së cilës i përket dhe aty do të jetë. Aty ku e do rinia shqiptare dhe kurrë më plagët e zemrave të nënave nuk do të pikojnë. Ndryshim, ndryshim, ndryshim!

Bashkë do të mundësojmë punësimin dhe arsimin me dinjitet të të rinjve. Një dimër 8-vjeçar përmbyllet pas dy ditësh. Të dielës që në orët e para të mëngjesit do i prijë me votë fitores më të thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për 8 vite me rradhë një grusht njerëzish plaçkitën, kërcënuan dhe mbyllën dyert e integrimit. Dhe menduan se u bënë Zot të votës suaj, por kjo nuk është Tirana e Edi Ramës, kjo nuk është Tirana e oligarkëve, por është kryeqyteti i tiranasve. Dhe të dielën me votën tuaj do të merrni sërish vendin tuaj.

Ai nuk bëri asgjë, veçse u pasurua dhe grumbulloi më shumë pushtet se çdokush tjetër. Dita e dielë është dita e çlirimit për të gjithë ju. Është dita e çlirimit për të gjithë ju rrogatarë gjunjë-prerë që trajtoheni si skllevër nga një grusht oligarkësh. Ua ndjej zërin “jemi bashkë me ju!. Më keni thënë me fjalë, me sy, me gjeste “na ka ardhur në majë të hundës”. Të dielën largoni me votë të keqen dhe bëhuni krenarë, shërbëtorë të askujt tjetër, përveç ligjit dhe Shqipërisë.

Tiranapost.al