Politikë

Basha i përgjigjet Ramës për ftesën: Dështimi yt nuk mund të maskohet pas thirrjes hipokrite

Basha i përgjigjet Ramës për ftesën: Dështimi yt nuk

Duke e quajtur thirrje hipokrite, lideri demokrat, Lulzim Basha, refuzon ftesën e kryeministrit Rama për një tryezë të përbashkët për Integrimin. Në një konferencë për shtyp me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Rama i bëri ftesë Presidentit Meta, kryedemokratit Basha e aktorëve të tjerë që të ulen në një tryezë për të treguar vullnetin e përbashkët dhe unitetin kombëtar për negociatat.

“Ne po përgatitemi për negociatat e anëtarësimit. Këtu duhen të gjithë aktorët, edhe pse qeveria mban peshën kryesore. Ne jemi gati për t'u ulur në një tryezë të gjerë me presidentin, kryetarin e opozitës dhe të gjithë aktorët e tjerë përfaqësues të institucioneve të pavarura, të drejtësisë, Në një tryezë ku të shprehim vullnetin e përbashkët, secili të bëjë detyrat e veta, jo për t'u imponuar të tjerëve që të bëjnë detyrat e tyre, por për një mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces, që deri më sot nuk më rezulton se ka një mendje tjetër”, tha Rama.

Lidhur me këtë ftesë, Basha shkruan se dështimet e qeverisë Rama e kanë larguar Shqipërinë nga BE dhe fajtor kryesor bën atë.

Reagimi i Bashës:

Deshtimi i Ramës me integrimin nuk mund të maskohet pas thirrjeve hipokrite. Pandemia tregoi se prioriteti i Ramës është vjedhja, jo mirëqenia e qytetarêve

Edi Rama dhe qeverisja e tij e kanë mbajtur peng integrimin europian të Shqipërisë dhe për shkakun e tij gjatë këtyre viteve kushtet janë shtuar nga 5, në 9 dhe tani janë 15 që duhen përmbushur. Ky është një dështim i Ramës, që nuk mund të maskohet dot pas thirrjeve hipokrite.

Pandemia për fat të keq tregoi edhe njëherë se Rama vazhdon të vjedhë dhe mashtrojë njerëzit duke i lënë ata pa ndihmën ekonomike që u takon të marrin nga shteti.

Pandemia tregoi se ai vazhdon ta përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin me krimin e organizuar në një fushatë të turpshme të pastrimit të parave të pista. Pandemia tregoi se ai e vendos veten mbi ligjin dhe kushtetutën dhe se për veten dhe klientelën e tij shkel mbi gjithçka.

Vendi tani është para një krize të thellë ekonomike sepse në vend që t'ju japë mbështetje njerëzve dhe ekonomisë, Rama po jua jep paratë e shqiptarëve një grushti klientësh dhe oligarkësh.

Kjo krizë  vetëm sa nxorri zbuluar të gjitha dështimet e Ramës: shëndetësinë e vjedhur, ekonominë e rrënuar, papunësinë e rritur, varfërinë në ekstrem, dhe shtetin prej kartoni të katandisur në regjim facebook-u. Janë dështimet e Ramës që po varfërojnë përditë njerëzit, po e rrënojnë ekonominë, dhe po na largojnë nga Europa.

Zbatimi i 15 kushteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave është jetik për Shqipërinë dhe udhërrëfyesi i vetëm për nxjerrjen e vendit nga autokracia, paligjshmëria dhe kriza ekonomike, ku e ka zhytur Rama dhe regjimi i tij kusar.