Politikë

Basha i shmanget sërish pyetjes nëse do kërkojë të jetë në krye të PD po nuk nxori Ramën nga zyra

Basha i shmanget sërish pyetjes nëse do kërkojë të

I pyetur në intervistën me gazetarin Babaramo, nëse do të kërkojë një mandat tjetër në krye të PD po humbi zgjedhjet, kreu i Partisë Demokratike devijoi sërish, duke mos dhënë përgjigje, por duke e plotësuar me akuza ndaj lidershipit të PD-së. Në takimet elektorale Basha ka thënë se nëse PD nuk i mban premtimet nuk do të kërkojë një mandat tjetër.

Ilir Babaramo: Nëse nuk arrini të nxirrni Ramën nga zyra, do kërkoni një mandat tjetër në krye të Partisë Demokratike?

Lulzim Basha: "Qëllimi ynë është t’ju ofrojmë shqiptarëve një qeverisje që sjell ndryshimin. Vendimin për ndryshim, shqiptarët e kanë marrë. Jo tani! Ka kohë! Tani vetëm po thellohet ajo që thashë më parë, tani po depërton edhe në familjen politike të Partisë Socialiste, edhe ata e kuptojnë që kështu nuk shtyhet më, për veten e tyre, për familjet e tyre. Besoj, kam bindjen, edhe për familjen e tyre politike, e kuptojnë që kështu nuk mund të vazhdohet më. Një parti, e cila duhet të përfaqësojë interesa publike, interesa kombëtare, nuk mund të mbetet peng i një grushti njerëzish, i një përqendrimi kaq ekstrem pushteti prandaj ajo që vërejmë në javët e fundit, është që bashkimit të madh të shqiptarëve, po i shtohen edhe socialistë, në kuptimin jo thjesht votues por edhe aktivistë të Partisë Socialiste. Ndryshimi sot është imperativ, i domosdoshëm dhe pastaj vijmë te një konstatim fare i thjeshtë. Kush do ta sjellë ndryshimin? Ky që kishte tetë vite dhe e la Shqipërinë në vendnumëro apo një forcë politike, një koalicion, një aleancë e cila po vjen me një qasje serioze, me zotime dhe angazhime konkrete dhe ku spikat angazhimi më i madh, që të hapim negociatat dhe të rinisim e të përshpejtojmë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian"?

Në një tjetër intervistë të 23 janarit në News 24, kreu i PD u pyet nëse do vazhdojë të drejtojë partinë në rast se humb zgjedhjet. Përgjigjja e tij ishte:

“Pa pikë diskutimi që shqiptarët me 25 prill do zgjedhin ndryshimin dhe nuk do të ketë forcë që do ta ndal ndryshimin. Partia demokratike do të fitojë, opozita e bashkuar do të fitojë, socialistët do të kenë shansin që të rikthejnë partinë socialiste në një forcë progresive dhe jo në një bashkëpunëtorë të hapur të mafias siç e ka bërë Edi Rama, siç doli nga përgjimet”.

Pyetja që lind është se çfarë do bëjë vetë Basha nëse humb zgjedhjet dhe çfarë roli mund të ketë lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

*Tiranapost.al