Politikë

Basha: Një nga prindërit të qëndrojë me fëmijët, shteti ta kompensojë

Basha: Një nga prindërit të qëndrojë me

Mbyllja e kopshteve, çerdheve dhe shkollave sjell edhe pyetjen e madhe se me kë do rrinë fëmijët? Prindërit e punësuar në shtet apo privat kanë edhe këtë hall të shtuar.

Kreu i PD-së Lulzim Basha, për këtë vendim të qeverisë si masë për mos-përhapjen e koronavirusit propozon që njëri nga prindërit e fëmijëve që janë në çerdhe e shkolla 9-vjeçare të qëndrojë në shtëpi dhe të kujdeset për fëmijët, por ndërkohë të kompensohet me vlerë të plotë nga shteti, gjatë kohës që çerdhet, kopshtet dhe shkollat qëndrojnë të mbyllura, deri me 23 mars.

Më poshtë keni reagimin e plotë të Lulzim Bashës:

"Pas vendimit për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve, duhet që shteti të paguajë apo kompensojë me vlerë të plotë një nga prindërit në marrëdhënie pune që duhet të kujdeset për fëmijët e vegjël gjatë kohës që çerdhet, kopshtet dhe shkollat qëndrojnë të mbyllura".

-Në Shqipëri kemi dy raste të konfirmuara me koronavirus. Ata janë babë e bir të kthyer nga Italia. Gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Strukturat e Shëndetësisë kanë marrë listën e emrave të personave me të cilët dy të infektuarit kanë pasur kontakte parësore dhe dytësore. Ata ndodhen aktualisht të karantinuar tek Infektivi në kujdesin e mjekëve.