Politikë

Basha pas deklaratës së ambasadores franceze për Ramën: Sulmet ndaj BE nuk i mbulojnë dështimet e tij

Basha pas deklaratës së ambasadores franceze për Ramën:

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së ambasadores franceze në Shqipëri, lidhur me debatin për vaksinat dhe qëndrimin që ka mbajtur kryeministri Rama me Bashkimin Europian ku ka shprehur pakënaqësi. Basha thotë se sulmet e Ramës ndaj BE-së nuk i mbulojnë dështimet e tij, dhe se nuk është faji i Bashkimit Europian që 'Rama është një dështim në çdo gjë'. Në postimin e tij në Twitter, Basha i referohet Ramës edhe me emrin Tirja, sanitarja që u hoq si infermiere në spitalin Shefqet Ndroqi e cila u merrte para të afërmve të të shtruarve, me premtimin se do kujdesej për to.

Lulzim Basha:

E turpshme që Tirja i qeverisë sulmon B-në dhe vendet anëtare për dështimet e tij. Nuk është faji i BE-së që Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë. Nuk është faji i BE-së që Tirja i qeverisë u ka dhënë qytetarëve ndihmën më të ulët nga çdo vend tjetër.
Nuk është faji i BE-së që Tirja i qeverisë i braktisi shqiptarët në kohën e tërmetit, pandemisë dhe krizës ekonomike. Nuk është faji i BE-së që Rama është një dështim në çdo gjë. Sulmet ndaj BE-së dhe vendeve anëtare nuk e mbulojnë dot dështimin e tij.
Ne i jemi përjetë mirënjohës BE-së për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në momente të vështira për vendin. 25 prilli do të jetë ditë e ndarjes nga e keqja dhe e orientimit europian të Shqipërisë.

Ndërkaq, ambasadorja franceze Barsacq i quan të papërshtatshme sulmet e Ramës ndaj një vendi mik dhe aleat si Franca. Ambasada po ashtu përmes deklaratës i kujtoi Ramës se BE, është donatori më i madh në vend me 100 milion euro në sektorë të ndryshëm.

Dy ditë më parë ambasadorja franceze në Shqipëri, Elisabeth Barsacq ka shkuar në zyrën e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi ku siç tregoi kjo e fundit ka pasur një bisëdë në lidhje me prioritet e kësaj partie.

*Tiranapost.al.