Politikë

Basha reagon pas Ramës: Prano hetim të plotë!

Basha reagon pas Ramës: Prano hetim të plotë!

Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për mediat ku i dha përgjigje akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha se qeveria po fsheh numrin e viktimave nga Covid, ka reaguar ky i fundit.

Përmes një video në “Facebook” Basha sfidon kryeministrin teksa thotë: “Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që ti, dhe jo mjekët, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19”.

“Shqiptarët prisnin sot përgjigje, por Rama vazhdon të gënjejë dhe ti ikë përgjegjësisë. Ai gënjeu në lidhje me numrat e viktimave. Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata.

Mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës dhe jo e mjekëve, që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë. Ai ka braktisur shqiptarët dhe familjet e tyre, për të cilat nuk jep asnjë mbështetje financiare nga qeveria.

Rama po shpërfill dhimbjen dhe vuajtjet e qytetarëve shqiptarë, që kanë nevojë për ndihmë. Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që ti, dhe jo mjekët, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19.

Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepi përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë”, tha Basha.