Politikë

Sipas Bashës vendi rrezikon një izolim të dytë, por jo nga pandemia!

Sipas Bashës vendi rrezikon një izolim të dytë, por jo nga

Në fjalën e zbardhur nga zyra e PD-së lidhur me takimin mes Presidentit Ilir Meta dhe kryedemokratit Lulzim Basha, ky i fundit ka ngritur shqetësimin e një izolimi të dytë. Izolimi në deklaratën e tij nuk lidhet me pandeminë, por me bllokimin e hapjes së negociatave të Shqipërisë për në BE nëse miratohen në Parlament ndryshimet e sistemit zgjedhor (hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve).

“Bundestagu gjerman, që është autoriteti, i cili hap ose nuk hap dritën jeshile për negociatat, u shpreh fare qartë dje. Po kështu, është shprehur edhe Komisioneri për Zgjerimin. Pra, rrezikojmë një izolim të dytë të Shqipërisë.

Po them të dytë, sepse izolimi i parë po na ndodh. Për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë vendi vazhdon të mbetet në listën e kuqe të Bashkimit Europian, duke i izoluar shqiptarët për herë të dytë në këto 30 vite. Por ky izolim do të jetë permanent, nëse Shqipëria mbahet peng nga një papërgjegjshmëri e tillë, që hedh poshtë një marrëveshje të negociuar me ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë dhe që i hap rrugë një procesi normal për zgjedhjet.

Nëse këto ndryshime ndodhin, do të bëhemi vendi i dytë në botë dhe i pari në Europë, i dyti pas Rusisë ku Kushtetuta ndryshohet në kohë pandemie, jo për interesat e qytetarëve, por për interesat e pushtetarëve. Natyrisht, për PD dhe për Opozitën e Bashkuar, kjo është e papranueshme”, citohet të jetë shprehur Basha.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama u shpreh gjatë konferencës për media se do ta çojë deri në fund marrëveshjen e nënshkruar me opozitën jashtëparlamentare dhe është i gatshëm për takime të tjera me ta.