Beleri lë qelinë, do të betohet në Strasburg si eurodeputet
Fredu Beleri ka lënë qelinë në burgun e Fierit ditën e sotme për t’u nisur më pas drejt Parlamentit Europian ku do të bëjë betimin si eurodeputet. Një ditë më parë, drejtoria e Burgjeve i dha leje pesë ditore për të udhëtuar drejt Strasburgut për t’u betuar si eurodeputet i zgjedhur nga radhët e partisë Demokracia e Re në Greqi.
Ai është pritur nga një mjet me targa diplomatike greke, dhe nga familjarë e mbështetës të tij. Për mediat greke ai tha se i falënderon për mbështetjen e dhënë dhe se të tjerat do t’i thotë në Athinë, ndërsa për median shqiptare do të flasë në aeroport. Beleri ndodhet në qeli prej majit të vitit të shkuar, kur u arrestua për blerje votash. Tashmë ish-kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë humbi mandatin pas vendimit të KQZ dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që e dënoi me 2 vite heqje lirie. Nga qelia Beleri arriti që të merrte dhe mandatin si eurodeputet.