Politikë

Debate në Komision se kush do jenë dy ekspertët që do hetojnë Metën, dy propozime

Debate në Komision se kush do jenë dy ekspertët që do

Është vijuar me debate mbledhja e Komisionit Hetimor të ngritur për të shqyrtuar akuzat e Maxhorancës dhe kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Presidentit i është kërkuar të paraqitet me datë 18 Maj në seancën e dëgjimit, ndërsa nevojiten dy ekspertë në Komision për të hetuar shkeljet e pretenduara, të cilat do të pasqyrohen në raportin final.

Deputetja Klotilda Bushka dhe Vasilika Hysi bënë një propozim. Por Spartak Braho shprehu hezitim duke thënë se për të gjykuar presidentin duhen më shumë grada shkencore. Edhe ai bëri propozimin e tij.

Diskutimet:

Vasilika Hysi: Propozoj të kemi ekspertë. Mendoj të diskutojmë për numrin e ekspertëve, të jenë një ose dy. Do doja të thoja dy fjalë për ekspertin,propozojn Erind Mërkurin. Është pedagog në Universitetin e Tiranës, mban gradë shkencore Doktor, ka një aktivitet të gjerë në fushën e të drejtës kushtetuese, është njohës i mirë i praktikës së Gjykatës Kushtetuese, i Gjykatës së Strasburgut, por edhe i praktikës së Komisionit të Venecias. Është angazhuar nga Kuvendi hera herës në çështje që kanë të bëjnë me kushtetueshmërinë. Ka një veprimtari të gjerë kërkimore në këtë fushë.

Alket Hyseni: E njoh ekspertin, i njoh punën, besoj është i denjë për të qenë ekspert i këtij komisioni. Sekretaria të shpërndajë CV-në e ekspertit.

Spartak Braho: Procedura e ekspertimit të shkeljeve që pretendohet se ka kryer Presidenti është momenti më i rëndësishëm i këtij komisioni. Të mos nxitohemi. Pjesa dërrmuese e këtyre anëtarëve e dinë ç’do të thotë një ekspertizë e mirë apo e keqe. Një ekspertizë e mirë të hedh matanë, një ekspertizë e keqe të varros. Ky komision gjykon nëse ka shkelur apo jo Presidenti rëndë Kushtetutën, që do të thotë që ne të përballemi me interpretimin e Kushtetutës, të shumë akteve të tjera të Gjykatës Kushtetuese, me interpretimin e tërë vendimeve dhe fjalët e ekspertëve janë përfundimi i punës sonë.

Ekspertët duhet të kenë nivel të lartë profesional, sepse po gjykojmë Presidentin. Nuk kam vërejtje për propozimet se nuk i njoh, janë çuna të rinj, unë jam i kohës kur thërrisnim ekspert Luan Maron, por tani ai është plakur.

Do mendoja që si ekspertë përveç emrit që përmendët, që arrin deri te Doktor, ndërkohë që ne na duhen profesorë me tituj, unë do them pse të mos jetë edhe Viktor Bumi. Nuk e kam marrë mendimin e tij, por unë do ta propozoja.

Duke e njohur nga afër, vlerësimin dhe cilësitë e tij, them se ka një lloj paanshmërie. Them të mos e vendosim sot punën e ekspertëve, të shohim e të lexojmë emrat, të lexojmë biografinë e tyre dhe e votojmë ditën e premte.

Na duhet një listë me disa emra. Unë jam marrë me të tilla ekspertime. Po t’i kemi të transkriptuara është edhe më serioze për komisionin. Ne kemi ekspertë shumë të mirë. Nëse këtë logjikë e pranoni, unë mund të ofroj edhe ekspertin apo grup ekspertësh për këtë punë.

*Tiranapost.al.