Politikë

Debate të forta mes Vasilit, Bylykbashit dhe Gjiknurit në tryezën për Zgjedhoren

Debate të forta mes Vasilit, Bylykbashit dhe Gjiknurit në tryezën

Nisi në orën 10:30 mbledhja e Grupit të Punës për Reformën Zgjedhore, tek Pallati i Kongreseve por kjo mbledhje u ndërpre pak minuta më parë, në orën 12:10 për të rinisur sërish.

Shkak i kësaj ndërprerje sipas mediave televizive u bë një debat i fortë mes Petrit Vasilit të LSI-së, Oerd Bylykbashit të PD-së dhe bashkëkryetarit të Komisionit për reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri. Ky debat nuk është zbardhur ende, por siç është deklaruar më hërët, ka një pikë ku palët nuk bashkohen: Opozita kërkon që puna e Këshillit të nisë me propozimet e tyre, por Gjiknuri ka deklaruar, se nuk do të ketë një rifillim loje dhe se diskutimet fillojnë aty ku u lanë.

Ndërsa reagime të ashpra ka patur nga Petrit Vasili pasi kryeministri Rama dje në konferencë me gazetarët refuzoi dy nga kushtet e opozitës;  propozimin për qeveri transitore tre muaj para zgjedhjeve dhe që në Kolegjet Zgjedhore të përbëhen nga gjyqtarë që nuk e kanë kaluar Vettingun.

Rama theksoi se kërkesa për qeveri transitore nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE-së dhe si e tillë nuk do të pranohet duke u dhënë fund kështu shpresave të opozitës.

Në tryezën e sotme nuk ndodhen vetëm 4 përfaqësuesit politikë, por edhe ekspertët e partive politike.

Ndërkaq, mbrëmë ka pasur një shkëmbim email-esh në grupin e Këshillit Politik me akuza nga Petrit Vasili dhe Bylykbashi, ndërsa Gjiknuri dhe Hajdari nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

“Është e qartë se ky qëndrim publik i kryeministrit është një provokim i rëndë për Këshillin Politik, që minon frymën e konsensusit. Këshilli politik nuk është as zyrë dhe as paradhomë e kryeministrit. Ky kryeministër me rekorde tepër të rënda në manipulimin dhe kriminalizimin e zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka asnjë interes për të mbështetur propozimet e opozitës, që pastrojnë zgjedhjet nga shitblerja dhe kriminalizimi. Nuk mendoj se OSBE - ODIHR janë noterizuesit e propozimeve të njëanshme provokative dhe antikosensuale të Kryeministrit”, thuhet në email-in e nënkryetarit të LSI-së Petrit Vasili.