Politikë

Dita shkruan: Marrëveshja Rama-Basha dhe si e shiti Basha Monikën

Dita shkruan: Marrëveshja Rama-Basha dhe si e shiti Basha Monikën

Aktivistët janë të bindur që pavarësisht fjalëve që tha dje Basha në publik, shembja e Teatrit do ishte e pamundur pa një marrëveshje të fshehtë mes tij dhe Ramës. Kreu i PD, kishte premtuar madje se po flinte në godinë për ta mbrojtur atë nga fadromat, por çuditërisht ai është larguar pikërisht natën e prishjes së godinës dhe është kthyer pas shembjes. Teatri i ri tani do të ngrihet. Po kush do të luajë aty? Ata, të mëdhenjtë e dikurshëm nuk ringjallen dot. Këto të tashmit nuk bëjnë shumica e tyre, bashkë me një politikane as sa brekët e Violeta Manushit. Ndoshta drama e parë do të marrë shkas nga marrëveshja e dytë e 17 majit, në të cilën, kur perdja ra, aktorët politikë ishin në gjumë jo rastësisht, – shkruan Dita në editorialin e saj të sotëm.

Dita shkruan: Marrëveshja Rama-Basha dhe si e shiti Basha Monikën

Teatri Kombëtar u shemb. Një odise e gjatë përplasjesh, debatesh, kërcënimesh, mallkimesh, vendimesh dhe përbetimesh po shkon drejt fundit. Godina që u bë kauza e opozitës dhe rreth së cilës aktorët u ndanë më dysh, tani është shndërruar në gërmadhë, duke lënë pas më shumë dërrasa e kompensatë, se sa mure tulle e guri.

E lehtë në peshë, por me probleme të mëdha, të cilat me shembjen nuk do të mbarojnë, vetëm se do të kenë rrjedhë tjetër.

Në lojë për teatrin dhe rreth tij u futën të gjithë, presidenti, që e kishte edhe ai gurin e tij dhe i mikloi aq fort artistët, sa që dy më të “nxehtët” i nxori edhe në mitingun e 2 marsit; shefi i qeverisë, që e ka patur në plan prishjen e asaj godine që kur u bë pjesë e pushtetit si ministër kulture, shefi i opozitës që tha se kjo kjo nuk kryhej pa shkelur mbi trupin e tij…

Në mëngjesin e 17 majit, ditës së djeshme, perdja ra! Muret u hodhën, fadromat lëvizën, trupa e aktorëve dhe politikanëve të ndodhur aty u përpoqën të reagonin, kishte edhe ndonjë përplasje të çastit, pastaj erdhën në ndihmë disa të tjerë, shumë lësëistë sidomos.

I vetmi që nuk ishte dhe që shkoi kur gjithçka mori fund, ishte Lulzim Basha, “shefi i opozitës”, njeriu që kishte bërë betimin e madh, se aty do të linte kokën. Ekzakt tri vite më parë, në maj edhe atëherë, ai përbetohej tek një çadër në mesin e bulevardit se këto ishin ditët e fundit të Edi Ramës, se ajo ishte vija e kuqe, se shefi i qeverisë duhej të dorëzonte çelsat dhe të shporrej, etj, etj.

Ekzakt më 17 maj 2017, u desh vetëm një takim disa orësh kokë më kokë me Ramën, pikërisht aty ku kishin menduar ta varnin shefin e qeverisë.    Pas kësaj saj, i qeshur për çka kishte nënshkruar dhe që askush ende nuk e dinte, Basha doli me 15 milionë euro shpërblim për pallatin e familjes, si dhe me kapjen e përkohëshme të ministrive kryesore dhe drejtoritë e rëndësishme ku janë thuaj se të gjitha paratë e shtetit.

Çadra e famshme u ngrit më shpejt se u vendos, dhe njerëzit u shpërndanë nga të katër anët, madje ndonjë thirri edhe “fitore”. Ashtu si edhe me protestat e zjarrta për një “bunker Enveri” aty afër Teatrit, edhe këtë herë thirrjet për Ramën që duhej hedhur në lumin e Lanës, i mori Lana.

Edhe aherë tehu i luftës shkoi drejt LSI-së. Kjo e detyroi shefin e saj që sapo ishte bërë presdent të harronte postin e ri dhe të vishte çizmet e fushatës, duke thirrur në ndihmë “trimat” e tij. Fundi dihet: Basha humbi politikisht, por fitimi financiar ishte tej e tej më shumë se ato 15 milionë euro, aq sa e detyroi një dhelpër të politikës pëdëiste të thirrte sa kishte fuqi,por nuk e dëgjoi kush, për flakjen jashtë PD-së të kunatit dhe nuses së Bashës, që kishin bërë listat dhe kishin shitur vendet në listat.

A ka pasur një marrëveshje të re per Teatrin si në 17 maj? Analiza e ftohtë të thotë se, po. Ka pasur. Njeriu i parë që e parandjeu se diçka po lëvizte jashtë kurrizit të tij do të ishte Berisha. Ai dërgoi si komisar të tij Sali Lushën, ish truproje, i njohur për rrëmujë e besnikëri, por nuk e mendoi as njëri e as tjetri se gjërat kishin ditë që ishin vënë në lëvizje. Basha, pikërisht në prag të shembjes së godinës së teatrit, bëri një deklaratë aspak në natyrën e tij se, unë jam shefi i partisë dhe se rruga e tij drejt pushtetit nuk ishte revolucioni.

Nëse Ilir Meta e parandjeu këtë dhe bëri dy deklarata të forta duke e dërguar i pari çështjen në Kushtetuese, bashkëshortja e tij, shefe e lësëistëve nuk e mendoi. Ajo mund ishte e gatshme të sakrifikohej, por nuk ia rroku se pazaret nuk janë vetëm pronë e saj apo e familjes, por edhe e një grupimi që e di se nuk i fiton dot zgjedhjet as në vitin 2021, por të paktën duhet të fitojë nga ajo që i afron pushteti, kësaj dite kur ende janë dikush.

E kështu LSI, e përbërë nga nevojatrë pa nuhatje politike, që sulen nga i çon e para e tyre, shkuan të përballen edhe dje, por Lulin nuk e gjetën. Disa orë më parë ai kishte shkuar të bëjë atë që bën më mirë, gjumin, por, ndërkohë dukej se i kishte kopsitur gjërat e tjera.

Godina u shemb, adoleshentët deputetë të lësëisë u çuan në një rajon policie, bashkë me disa aktorë e ndonjë gazetar, nga ata që Berisha i kishte quajtur si turpi i këshilltarëve dhe kaq. Luli nuk gjendej. Ai arriti kur nuk kishte më së çfarë të bënte e as të shikonte. A e dinte ai se çfarë do të ndodhte? Me siguri, po.

Njeriu që e di edhe kur digjen letra në një dikaster dhe çfarë letrash janë djegur, që mburret se ka njerëzit e tij “të ndershëm” në çdo dikaster, nuk e di se do të lëvizin fadromat e një institucioni e se do të marshojnë rreth 1 mijë policë dhe mjete? Ai ka ditur edhe orën kur do të lëvizin, edhe nga do të lëvizin, edhe çfarë do të bëjnë.

Me gjithë premtimin për të kaluar natën në godinë, gjeti kohën të shkonte në vilën e tij. Artistët le të shfrynin dufin e tyre, pastaj të riluanin rolet që kishin pasur dikur, të agjitonin, politikanët të vendosnin kapitale në politikën e ardhshme ku çmohet i dhunshmi dhe jo i mënçuri.

Po cilat do të jenë pasojat e një marrëveshje të para natës së 17 majit? Rëndesa e kësaj marrëveshje do të duket së shpejti në Ligjin e ri Zgjedhor, që kryetarët përkatës e duan ashtu si është, ku ata të jenë zot e shkop.

Pushteti i Ramës u qetësua edhe një herë. Ai e di se kërcënimet e Metës më shumë se ndaj tij janë ndaj njeriut që të gnjen edhe kur e pyet për orën, por edhe pasiguri se çfarë është vendosur mes kasnecëve të një trio-je që mund të jenë gjatë në politikë, jashtë dëshirës së tij, ose që vetëm njëri mund të shembet dhe duke u shembur, të marrë me vete edhe partinë që ai vetë krijoi dikur, për t’ia hedhur në erë bashkëshortja.

Teatri i ri tani do të ngrihet. Problemi është se kush do të luajë aty? Ata, të mëdhenjtë e dikurshëm nuk ringjallen dot. Këto të tashmit nuk bëjnë shumica e tyre, bashkë me një politikane , as sa brekët e Violeta Manushit. Ndoshta drama e parë do të marrë shkas nga marrëveshja e dytë e 17 majit , në të cilën, kur perdja ra, aktorët politikë ishin në gjumë jo rastësisht.

*Marrë nga Dita