Politikë

Drejt dështimit konsensusi për Presidentin, PD tërhiqet nga raundi i tretë dhe i fundit i votimit me shumicë të cilësuar

Drejt dështimit konsensusi për Presidentin, PD tërhiqet nga

Palët politike po çojnë drejt dështimit edhe të mundësisë së fundit për një president konsensual, i cili mund të vinte si propozim nga opozita. I caktuar për të hënën, raundi i tretë dhe i fundit i zgjedhjes së Presidentit me shumicë të cilësuar votash në Kuvend nuk pritet të ketë fat të ndryshëm nga dy raundet paraardhëse të cilat u dogjën pa asnjë kandidat.

Zhvillimet politike të ditës së sotme flasin për një tërheqje të opozitës në përfshirjen në proces, çka në raundin e katërt paralajmëron një President të propozuar dhe votuar me shumicë të thjeshtë votash nga mazhoranca.

Partia Socialiste i dha një tjetër mundësi opozitës në raundin e tretë të përfaqësohet me emrat e saj por Grupi i deputetëve të udhëhequr nga Enkeljed Alibeaj ka vendosur të mos japë emra të tjerë pas 4 kandidatëve të cilët për Partinë Socialiste janë imponim:

“Ai variant nuk vlen për Presidentin e Republikës. E kemi thënë që një listë e mbyllur prej katër kandidaturash të jetë imponim, nuk do ta lejojmë. Rama ka qenë shumë i drejtpërdrejtë që ne përjashtojmë një President nga salla e parlamentit, nga politika e ditës”, argumentoi sot kreu i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla i cili i lë ende derën e hapur opozitës të sjellin kandidatë deri të dielën.

Alibeaj përsëriti sot se gjithcka ishte ndërtuar në fillim të procesit, edhe pse i paragjykuar prej demokratëve, u minua menjëherë pas zbulimit të këtyre 4 emrave.

“Rama u tërhoq sapo u bënë publikë emrat. Ne e bëmë punën tonë. E kryem detyrimin tonë moral, njerëzor. Presidenti i Republikës, nesër e ka të nevojshme të ketë legjitimitet të plotë. Pala tjetër u tërhoq. Meqë kjo dakordësi bie, çfarë të bëjmë ne. Edhe në 12 të natës po ndërroi mendja, jemi gati të mblidhemi”, tha Alibeaj.

Si për të përforcuar tërheqjen, PD e përfaqësuar nga grupi i udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj doli me një deklaratë ku shpjegon arsyet pse sipas saj ftesa për pjesëmarrje në proces është fasadë dhe se PS e ka projektuar emrin që do zgjidhet në krye të shtetit.

“Detyrimi ndaj qytetarëve kërkonte që opozita të përmbushte përgjegjësinë e saj me seriozitet dhe përkushtim me qëllim që Presidenti i ardhshëm të jetë Presidenti i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ky nuk ishte vullneti i Edi Ramës, njëriut që pasi vjedh zgjedhjet, kap me votat e nongratave të tij në Kuvend çdo institucion të pavarur. Tërheqja e Partisë Socialiste nga marrëveshja për ndërtimin e një procesi të përbashkët parlamentar për zgjedhjen e Presidentit, provoi atë që Grupi Parlamentar i PD paralajmëroi që në nisje, që Edi Rama nuk don një President të gjithë shqiptarëve dhe përbetimet e tij publike për konsensus me opozitën janë një mashtrim,” u shpreh në orët e pasditës PD.

Në këtë mënyrë, palët po ndahen cdo javë e më shumë në qëndrime diametralisht të kundërta saqë një konsensus i orës së fundit duket pothuajse mision i pamundur.