Edi Rama i prerë për akuzat që e lidhin me ish-zyrtarin e FBI: Çështje e hetuar nga drejtësia amerikane

Edi Rama ka qenë i prerë ditën e sotme përpara gazetarëve të cilët e pyetën në lidhje me ish-zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, të arrestuar nga drejtësia amerikane, për të cilin nga opozita në vendin tonë ka pasur akuza se kishte lidhje me kryeministrin.
Rama tha se kjo nuk është as çështje që vlen të diskutohet dhe nuk la pa bërë një paralele mes drejtësisë shqiptare e asaj amerikane:
“Kjo është një çështje jo çështje se është çështje e hetuar nga drejtësia amerikane, e cila nuk nxjerr vendime për vrasje pa autorë, apo për vrasje nga pakujdesia kur vrasjet bëhen nga dritaret e institucioneve shtetërore e nuk ia përton askujt. Në rastin kokret ka zero akuzë dhe zero lidhje mes çështjes që diskutohet dhe meje apo qeverisë së Shqipërisë. Zero,” u shpreh Rama pas përfundimit të takimit me drejtuesit e PS në qarqe në selinë rozë.
Rama ka shpjeguar të gjithë marrëdhënien me ish-zyrtarin e lartë të FBI dhe takimet në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri me të:
“Unë kam folur në gjuhën angleze për natyrën e marrëdhënies dhe kam thënë “friendly relationship”. Në këtë sens kam thënë, “po ka qenë një mik”, po jo mik në sensin që kam ndarë me të jetën për shumë vite. E kam takuar disa herë. E kam takuar në zyrën më të rëndësishme të SHBA, në zyrën e New York ku më ka prezantur dhe me kolegë të tjerë, ku më ka dhënë dhe nga ato kapelet e medaljet që në Big Brother-in politik u shfaqën si aparatura përgjimi. Ka ardhur në Shqipëri. Jemi takuar. Interesi im ka qenë që të shkëmbej biseda, opinione lidhur me ato fusha në të cilat ai ishte një ekspert i nivelit të lartë: krimi korrupsioni, Amerika, Ballkani Shqipëria, pra krejtësisht pa asnjë marrëdhënie tjetër."
Kreu i qeverisë tha se ka takuar edhe presidentin e SHBA:
“Kam takuar një zyrtar të lartë të FBI dhe çdo zyrtar të lartë të FBI do ta takoja përsëri, sa herë të më jepej mundësia. Unë kam takuar edhe presidentin e SHBA dhe fakti që presidenti i SHBA ishte, apo mund të jetë nën hetim, kjo nuk ka lidhje me mua, apo me këdo që ne mund të takojmë".