Politikë

Edi Rama thotë se për Presidentin e ardhshëm do konsultohet me shqiptarët

Edi Rama thotë se për Presidentin e ardhshëm do konsultohet me

Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij në Grupin Parlamentar që situata e krijuar në PD e ka bërë më të vështirë dialogun me opozitën parlamentare sa i përket zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Rama tha që do të organizohet një bashkëbisedim për të gjetur mënyrën se si mund të përfshijmë qytetarët shqiptarë në këtë process vendimmarrje.

“Na duhet të zgjedhim presidentin dhe do ta zgjedhë ky grup parlamentar, në radhë të parë. Komplikimi me krijimin e dy PD, na e bën të vështirë të gjejmë adresën se ku ta kërkojmë dialogun, me opozitën parlamentare, por ndërkohë ne duhet të mendojmë për mënyrën se si mund të këshillohemi me qytetarët edhe për këtë vendimmarrje. Në një mënyrë apo në një tjetër duhet të gjejmë mënyrën për mbledhur opinionin e njerëzve lidhur me figurën e presidentit të Republikës. Pas disa personazhesh që e kanë degraduar figurën e presidentit, ne kemi përgjegjësinë qytetare, politike, kushtetuese, që të vëmë në krye të popullit shqiptar një njeri normal. Një kryetar shteti që të kthejë normalitetin njerëzor, moral e institucional zyrës së Presidentit. Nuk do të bjerë nga qielli, do të gjendet mes nesh, këtu në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo në territorin shpirtëror të kombit tonë, se mund të jetë dhe jashtë kufijve, por e kemi detyrim t’i japim asaj zyre që për pesë vitet e ardhshme të ketë një njeri normal, një qytetar normal, një figurë moralisht dhe profesionalisht normale. Prandaj, do ju lutesha të gjithëve të mendojmë në këtë sens dhe cilido që ka një ide lidhur me sesi mund të organizohemi në këtë drejtim t’i ndajë me drejtuesit e grupit. Mund të organizojmë edhe një bashkëbisedim në vijim se si mund të përfshijmë edhe qytetarët në këtë.”