Politikë

Eurodeputeti: Respektoni “5 qershorin”, ndryshimet e njëanshme cënojnë integrimin e Shqipërisë në BE

Eurodeputeti: Respektoni “5 qershorin”, ndryshimet e njëanshme

Europarlamentari David Lega ka komentuar situatën politike në Shqipëri. Lega  shprehet se ndryshimet e njëanëshme të marrëveshjes së 5 qershorit janë në kundërshtim me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe vendimit të Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ai shton se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht thelbësor për anëtarësimin në BE.

“Ndryshimet e njëanshme në këtë fazë janë kundër rekomandimeve të OSBE/ODIHR si dhe vendimit të Këshillit të BE për hapjen e negociatave. Grupi PPE nxit autoritetet të përmbahen nga çdo ndryshim i njëanshëm dhe të respektojnë marrëveshjen konsensuale siç janë zotuar. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një parakusht themelor i integrimit në BE. Reforma zgjedhore e 5 qershorit u miratua në mënyrë konsensuale dhe u mbështet ndërkombëtarisht dhe duhet të zbatohet siç është rënë dakord” shkruan Lega në një postim në Twitter.

Më herët edhe nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul u ka bërë thirrje partive politike në Shqipëri t'i kthehen konsensusit për listat zgjedhore.

Wadephul, i ka bërë thirrje Shqipërisë që të arrijë një konsenus në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, pas takimit që ai pati në Berlin me Ministrin në detyrë për Punë të Jashtme, Gent Cakaj.

Ndërkaq, pak orë më parë përfaqësuesi i maxhorancës në Këshillin Politik Damian Gjiknuri, iu ka dërguar një e-mail anëtarëve të Këshillit Politik, si kundërpërgjigje për argumentet e parashikuara në emailin e dërguar më datë 27 shtator nga Bylykbashi dhe Vasili. Përmes e-maili, kërkohet mbledhja e Këshillit Politik të enjten, datë 1 tetor, ora 11.00.