Politikë

Çfarë po thotë Lulzim Basha në mbledhjen me dyert e mbyllura: Mos më sulmoni edhe ju! Nuk rrëzohet Rama me një hajdut më të madh

Çfarë po thotë Lulzim Basha në mbledhjen me dyert e

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka thirrur një mbledhje “express” të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të demokratëve, ku në mënyrë unilaterale ka vendosur se rendi i ditës do të jetë “masakra zgjedhore e 25 Prillit”, duke shmangur kështu dukshëm kërkesat e shumta për dorëheqjen e tij dhe hapjen e garës për një kryetar të ri pas humbjes së katërt rradhazi të së djathtës.

Në fjalën e mbajtur ai është shfajësuar duke thënë se ndonëse pranon pluralizmin e mendimit brenda në parti, kategorikisht refuzon pretendimet se zgjedhjet mund të mos jenë vjedhur dhe kërkon solidaritetin e demokratëve për të atë që e ka cilësuar “kalçifikimin e antivlerave”, duke thënë në mënyrë të nënkuptuar se nuk pranon të marrë fajësinë për humbjen, sepse ai nuk mund të bëhej “hajdut ose ortak më i mirë me bandat”.

“Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prillin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë.

Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse i japim një dorë kalçifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas të cilës hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore.

E di që është e vështirë, e di sepse e provojë në lëkurën time përditë, këtë përmbysje djallëzore vlerash, pasi jam shënjestra e parë e kësaj fushate denigruese që mbahet në këmbë nga një makineri propagandistike e madhe. Por unë e mbaj peshën e këtyre sulmeve sepse besoj tek Shqipëria dhe sepse besoj që Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo kurrë për një hajdut tjetër me te madh, apo një ortak me te zote te bandave dhe mafias"- ka thënë mes të tjerash Basha.

Ndërkohë, kandidati i parë i vetëshpallur për të marrë drejtimin e PD, Fatbardh Kadilli ka replikuar me të duke e fajësuar personalisht për disfatën e radhës të së djathtës dhe duke kritikuar vendimet e tij për të braktisur zgjedhjet lokale dhe parlamentin: ”Nuk je i pazëvendësueshëm. PD ka shumë njerëz të mirë. Jep dorëheqjen e parevokueshme. Je humbës i përsëritur prej defekteve personale. Fushatën e bërë i vetëm. Nuk mbështete asnjë njeri. Janë bërë shumë gabime në fushatë. Problemet në zgjedhje nuk duhet të justifikojnë humbjen. Për një pjesë të problemeve je vet përgjegjës. Për një pjesë tjetër, ke qenë i pazoti t'i ndalosh. Lufta për votën bëhet brenda sistemit. Kjo luftë do vazhdojë sa herë të ketë zgjedhje. Në luftën për votën ke pasur më shumë sukses brenda sistemit se sa jashtë sistemit. Në 2015-n kemi qenë më mirë se në 2021 dhe këto dukshëm më mirë 2017, apo dhe më keq, nga 2019. Nuk je aspak i nevojshëm për luftën institucionale për votën. Kemi ekipin më të mirë dhe ekspertizë të shkëlqyer. Ata që na dhanë fitoren tënde në 2011-n. Luftën politike e bëjmë me një koncept te ri, me qasje të re dhe me frymëzim të ri, me besueshmërinë, me vërtetësinë dhe me vendosmërinë si tipare që ty të kanë mungua.”

Megjithë deklaratat e Kadillit, raportohet se Basha i është përgjigjur thjesht me një "faleminderit", duke mos lënë vend për dialog apo shkëmbim idesh në një nga forumet më të larta të PD.

Tiranapost.al