Politikë

Çfarë u diskutua në takimin mes Metës dhe Bashës

Çfarë u diskutua në takimin mes Metës dhe Bashës

Zbardhet takimi mes Presidentit Ilir Meta dhe kryedemokratit Lulzim Basha, që u zhvillua sot në Presidencën.

“Presidenti i kërkoi kryetarit Basha që të vazhdojnë t’i qëndrojnë Marrëveshjes së 5 Qershorit, pavarësisht përpjekjeve të pashpresa për të cenuar Kushtetutën, duke paralajmëruar se çdokush që punon kundër të ardhmes europiane të vendit do të mbajë përgjegjësi individuale dhe të drejtpërdrejtë. Ai bëri edhe një herë thirrje që Marrëveshja e 5 Qershorit të zbatohet me përpikmëri dhe pa vonesa, duke hapur rrugën e zbatimit të 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit gjatë Presidencës gjermane të Bashkimit Europian”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës.

Çfarë u diskutua në takimin mes Metës dhe Bashës

Në takim, Basha shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin ndryshimet kushtetuese, një ditë pasi u miratuan unanimisht në Komisionin e ligjeve.

-Pas njoftimit nga Presidenca, edhe kreu i PD-së ka publikuar nga status në Facebook ku shkruan: 

Sot u takova me Presidentin e Republikës Ilir Meta, me të cilin ndava së pari shqetësimin për situatën jashtë kontrollit të pandemisë shoqëruar me shifrat e larta të ditëve të fundit të qytetarëve të prekur me Covid-19. Është e qartë se dështimi më i madh i qeverisë është kthimi i spitaleve në qëndra infeksioni, ndërkohë që vazhdon përpjekja e përgjegjësve të kësaj situate të rënduar, për t'u fshehur dhe për t'ia lënë këtë faturë qytetarëve.

Për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë, vendi vazhdon të mbetet në listën e kuqe të Bashkimit Europian, duke i izoluar shqiptarët.

Kriza e thellë ekonomike, që po kap dimensione të panjohura për Shqipërinë në këto 23 vitet e fundit, ishte gjithashtu në qëndër të bisedës së sotme me Kreun e Shtetit.

Kriza e menaxhimit të pandemisë dhe ajo ekonomike, i ka rrënuar shqiptarët dhe zbrazur xhepat e tyre. Pikërisht në këtë situatë, Edi Rama po tenton të prishë një marrëveshje të negociuar me ndërmjetësimin e SHBA, BE dhe Britanisë Madhe, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve me një klimë sadopak normale.

Pasojat e një hapi të tillë, do të jenë shumë të rënda për stabilitetin dhe integrimin europian të vendit. Bundestagu gjerman, që është autoriteti, i cili hap ose nuk hap dritën jeshile për negociatat, u shpreh fare qartë dje. Po kështu, është shprehur edhe Komisioneri për Zgjerimin. Prej frikës së Edi Ramës nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit, Shqipëria po rrezikon një izolim të dytë.

Opozita e Bashkuar do të bëjë gjithçka që faturën, e cila do të jetë shumë e rëndë, të mos e paguajë Shqipëria dhe shqiptarët, por ta paguajnë ata që janë përgjegjësit e kësaj situate. Ndryshimi që duan shqiptarët është i pandalshëm dhe rotacioni politik i pashmangshëm.

I rikonfirmova Kreut të Shtetit se Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndrimet e qarta të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Bundestagut dhe i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime të njëanshme kushtetuese, të Dakordësisë së 5 Qershorit.