Politikë

Gabriel Escobar tregon mbështetjen për Bashën: Partia Demokratike aktuale është e shëndetshme

Gabriel Escobar tregon mbështetjen për Bashën: Partia Demokratike

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar ka folur në një intervistë për Zërin e Amerikës për zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike dhe protestën e 8 janarit.

Ai tregoi mbështetjen për Lulzim Bashën dhe u shpreh që Partia Demokratike aktuale është e shëndetshme.

“Ai mund të ketë mbështetës, por unë do t’u tërhiqja vëmendjen atyre që mendojnë se fakti që ai mund të nxjerrë përkrahës të dhunshëm në rrugë, sinjalizon një lloj mbështetjeje elektorale. Dyshoj që të jetë kështu. Dhe shpresoj që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje në këto lloj aktivitetesh.

Është e mundur që të ketë shumë, por nuk dua të flas për Sali Berishën, por për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, kjo është e ardhmja. Tani Shqipëria është një nga aleatët më të fortë dhe më të rëndësishëm që kemi në rajon. Marrëdhëniet tona në të gjitha aspektet, politike, strategjike, ushtarake dhe madje edhe ekonomike po rriten më shpejt se çdo marrëdhënie tjetër në rajon. Ne duam ta mbajmë të tillë. Kjo është e ardhmja. Nëse njerëzit, përfshirë përkrahësit e tij duan të shohin prapa, u takon atyre. Por ne shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se Shqipëria ka një të ardhme shumë të ndritur përpara, nëse vazhdon në rrugën që po ecën, që është një orientim i fortë euroatlantik.

Partia Demokratike aktuale është e shëndetshme, kam një marrëdhënie të mirë me z.Basha. Ajo që po ndodh në rrugë nuk reflekton në të vërtetë atë që është Partia Demokratike dhe shpresoj që votuesit të marrin vendimin e duhur.” tha Escobar.

Pyetjes nëse do të ketë të tjerë persona non grata në Shqipëri, Escobar nuk iu përgjigj, por përsëriti që do të ketë të tjera zhvillime në rajon.