Grenell godet Kurtin para zgjedhjeve: Partner jo i besueshëm

5 ditë para zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti merr një goditje të fortë nga Shtetet e Bashkuara. I dërguari i Trump për misione të posaçme, Richard Grenell, në një mesazh të ashpër, e ka cilësuar Kurtin si një partner jo të besueshëm, që ka ndërmarrë veprime të njëanshme.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe në Shqipëri dhe shumë miq në Serbi dhe përreth rajonit. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen në Ballkan. Por na duhen partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump e as gjatë administratës Biden. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrjen e hapave të njëanshëm që po destabilizojnë rajonin. Kështu edhe BE edhe NATO. Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit”, shprehet Grenell.
Grenell shton më tej se kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë. Dhe kjo, po ndodh për shkak të Kurtit, thotë Grenell.
“Retorika e përdorur tani nga Kurti, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më i mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, tha Grenell.