Politikë

Grida Duma tjetër mesazh Berishës: mos godit PD me mercenarë

Grida Duma tjetër mesazh Berishës: mos godit PD me mercenarë

Një thirrje tjetër është bërë ditën e sotme në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha nga Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, e cila i ka thënë se nuk i takon atij të godasë PD-në me mercenarë.

Nga rubrika “Opinion”në News 24, demokratja ka theksuar se Berisha duhet të jetë njeriu që anëtarët e entit politik kanë parë edhe kur e kanë mbrojtur edhe kur e kanë respektuar.

“E nisi duke thënë që do bëjë primare.. se nuk dua të bëj analizën e ‘Foltores’ është hipokrite ta bëj. humbi zgjedhjet PD në 26 prill, aty ishte Berisha, duhet t’i thoshte 5 fjalë, s’kishte nevojë t’i thonte pas datës 9 shtator.

Ai është një qënie politike parekselencë. A ka bërë kalkulimet e veta? Patjetër, por mos flasim për demokratizim, se demokratizimi ndodh ka humbur partia, e dal e them do ndërtojmë institucione më të forta demokracisë që krijojnë garën.

E nisi me demokratizimin e partisë pas datës 9, filloi me primare e tani doli që unë do jem kryetari e kryeministri, demokratizim është ky? Në të drejtën e vet ta bëjë sic gjykon ai, por edhe unë jam në të drejtën time, se kam thënë pafund unë nuk i jap këshilla Sali Berishës.

Gjithmonë kam thënë s’kam koment, apo s’dua të komentoj, por një gjë do ia them Sali Berishës: Të kesh nevojë të importosh njerëz për t’i kthyer në mercenarë për të goditur PD, është panevojshme, nuk të takon. Duhet të jesh njeriu që ne kemi parë edhe kur të kemi mbrojtur edhe kur të kemi respektuar”, u shpreh Grida Duma.

Një ditë më parë, demokratja i kërkoi ish-kreut të PD-së të ndalojë ata që përdorin linçime personale ndaj njerëzve, duke thënë që këtë gjë ia kërkon si reciprocitet minimal.

Ajo kujtoi edhe vitin 2013, kohë për të cilën solli në vëmendje mbrojtjen e saj ndaj Berishës si figura politike që mori përgjegjësinë e vet dhe u soll si burrë shteti.

Tiranapost.al