Politikë

Grupimi “për PD” reagon pas mesazhit të Bardhit për mbledhjen e Kryesisë dhe Këshillit: Nuk jemi vartës të kryetarit

Grupimi “për PD” reagon pas mesazhit të Bardhit për

Grupimi “për PD” i përbërë nga kritikët e Lulzim Bashës brenda strukturave të demokratëve kanë reaguar pas lajmërimit të papritur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi që ka njoftuar mbledhjen e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar ditën e dielë. Në mesazhin e Bardhit përcaktohej se rendi i ditës do të ishte “Diskutimi për masakrën elektorale të 25 Prillit” për të dy takimet.

Në reagimin e grupimit që përbëhet nga figura si ish-presidenti Bujar Nishani, ish-Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, Edith Harxhi, Edvin Kulluri, Arben Ristani, Ibsen Elezi etj., shkruhet se caktimi i rendit të ditës nuk është e drejtë e kryetarit, por është diçka që duhet të diskutohet në organet më të larta të partisë dhe kanë shtuar se kjo është një tentativë për të mbyllur debatin në lidhje me mbylljen e debatit në lidhje me dorëheqjen e kryetarit dhe hapjen e PD për një proces të ri zgjedhor.

“Institucionet kryesore vendim marrëse të Partisë Demokratike nuk janë e nuk mund të përdoren si vegla të Kryetarit të Partisë për të diktuar e kufijëzuar ky i fundit drejtimin e debatit te brendshëm.

Rendi i ditës, temat dhe çështjet për diskutim në organet më të larta nuk mund të vendosen njëanshmërisht nga një individ i vetëm e aq më pak t'u komunikohen këto vendime anëtarëve të nderuar të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar nëpërmjet sekretareve personal të Kryetarit.

Anëtarët e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar nuk janë vartës të kryetarit, por të zgjedhur nga anëtarësia e partisë si përfaqësues të vullnetit të demokrateve dhe jo Kryetarit.”- shkruhet në deklaratë.

Tiranapost.al