Politikë

Harta e re gjyqësore, avokatët kundër: Bojkot 4 ditë seancave në të gjitha shkallët e gjyqësorit

Harta e re gjyqësore, avokatët kundër: Bojkot 4 ditë

Avokatët kërkojnë që qeveria të mos e votojë hartën e re gjyqësore. Ata kanë vendosur madje të bojkotojnë për 4 ditë seancat në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Avokatët kanë vendosur të bojkotojnë procesin nga data 14 deri në datën 17 qershor.

Në reagimin e Dhomës së Avokatisë thuhet se vendimi për hartën e re gjyqësore injoroi problematikat që u parashtruan dhe shkel të drejtat e njeriut e cenon aksesin në drejtësi.

“Komiteti Drejtues i Dhomës Avokatisë të Shqipërisë, pasi u njoh, mori në shqyrtim vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dt.10.06.22, me anën e të cilit është miratuar harta e re gjyqësore i bën prezent gjithë opinionit publik se, vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta. Ky vendim cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit, si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes në heshtjet penale, civile dhe administrative. Me keqardhje konstatojmë se ky vendim është në përputhshmëri dhe ne perkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.

Me këtë vendim u injoruan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e Organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore gjate procesit të diskutimit te draftit në shkallë vendi, fakt i cili tregoi qarte formalitetin, paragjykimin dhe abuzivitetit në mosmarrjen në konsideratë të mendimit te grupeve të interesit, përfshi Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë", thuhet në reagim.

Avokatët kanë vendosur të bojkotojnë procesin nga data 14 deri në datën 17 qershor.

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë i bën thirrje ministrit të Drejtësisë dhe nëpërmjet tij kërkojnë që të përcillen në qeveri të gjithë argumentet e paraqitura në mbrojtje të interesave të personave fizik dhe atyre juridik, duke konkluduar mos miratimin vendimit të mësipërm paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Ndodhur në këtë situatë Komiteti Drejtues në mbështetje të vendimit paraprak marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë si hap te parë vendosi:

1. Të bojkotoj të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim , në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri ne datën 17 qershor.

2. Për ekzektimin e këtij vendimi, ngarkohen organet drejtuese te Dhomës Qendrore dhe dhomave vendore.

3. Moszbatimi i këtij vendimi nga ana e avokatëve përbën shkelje të rëndë të kuadrit ligjor mbi profesionin e avokatit, e për rrjedhojë do të procedohen disiplinarisht", thuhet në njoftim", thuhet në reagimin e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin. Ky ishte përfundimisht propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit. I vetmi ndryshim nga propozimi i kaluar është shtimi i një gjykate të shkallës së parë në Sarandë që me propozimin e kaluar ishte hequr.

KLGJ ka miratuar draftin i cili tashmë pritet të kalojë për mendim në Këshillin e Ministrave, Këshillin e Lartë i Prokurorisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Financave. Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.