Politikë

Ish presidentët shqiptarë mbështetje Thaçit në Hagë

Ish presidentët shqiptarë mbështetje Thaçit në

Ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi si dhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko, të shoqëruar nga ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli kanë zhvilluar ditë e sotme vizitën e tyre në Hagë.

Ata takuan Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas takimit, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko thanë se ish-krerët e UÇK-së po qëndrojnë të fortë moralisht dhe krenarë për luftën e drejtë të UÇK-së.

“Ne erdhëm për t’i takuar, për t’i inkurajuar miqtë dhe shokët tanë të cilët po bëjnë një burgim të padrejtë. Lufta e shqiptarëve të Kosovës ka qenë një luftë për liri, pavarësi, drejtësi dhe për t’u shkëputur nga skllavëria serbe shekullore”, tha Moisiu.

“Natyrisht ne nuk interferojmë në çështje të drejtësisë, por jemi të bindur qe drejtësia do të shkojë në vend, sepse duket sikur ka qenë histori e shekullit të kaluar por historia e asaj çka ka ndodhur në Kosovë është një histori e kohëve moderne, të mos e harrojmë atë largim masiv, atë gjenocid që u zhvillua nga arkitekti i luftës në Ballkan, Millosheviçi”, tha Topi.

“Mendojmë që kjo nuk është një dramë personale e atyre që janë në qelitë e këtij burgu, mendojmë që kjo është një dramë kombëtare dhe si e tillë ka praninë tonë këtu”, tha Majko.

Vizita e ish- presidentëve u zhvillua me iniciativë të kreut Aleancës Kosova e Re dhe ish-presidentit, Behgjet Pacolli. Ndërsa thirrjes së tij nuk i janë përgjigjur ish-krerët e shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga.

“Edhe njëherë u binda që ky është çmimi të cilin ata janë duke paguar për atë që ne ekzistojmë si shtet i pavarur dhe pavarësinë tonë. Nuk ka akuza personale për askënd. Janë akuza absurde. E pash se janë të inkurajuar, nuk janë të lodhur, janë më mirë se kurrë dhe ata e dinë që nuk janë në këtë burg për një krim por janë për të paguar çmimin për këtë që e posedon Kosova, lirinë dhe pavarësinë”, tha Pacolli.

Ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim prej gati dy vites me pretendime nga akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, por gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.