Politikë

Jam dorëhequr para një viti, por s’kam hequr dorë. Lulzim Basha kërkon prapë një shans

Jam dorëhequr para një viti, por s’kam hequr dorë. Lulzim

Lulzim Basha është rikthyer sot në jetën politike aktive të Partisë Demokratike. Duket se ai ka zgjedhur momentin e duhur për t’iu rikthyer takimeve me anëtarësinë, në një kohë kur drejtuesi i komanduar i Partisë që pas dorëheqjes së tij një vit më parë, me shpalljen e Berishës non-grata, Enkelejd Alibeaj, dha gjithashtu dorëheqjen.

Pikëpyetjeve se kush do e pasojë Alibeajn, a do ketë garë të re për kryetar dhe a do bashkohen fraksionet e PD, duket se Basha po mundohet tu japë një përgjgje me rikthimin e tij, ku më së pari zhvilloi një takim me një grup të rinjsh të FRPD.

“Tërheqja ime para një viti është bërë për një interes të madh, për të mos ushqyer përçarjen e demokratëve dhe për t’i dhënë një shans bashkimit të demokratëve, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur. Unë nuk kam hequr dorë kurrë nga ajo që e ndjej si përgjegjësi për të mos i lënë njerëzit në mes të rrugës. Ndonëse për hir të vendimit që kam marrë, për të mos ndikuar rrjedhën e ngjarjeve kam preferuar të qëndroj jashtë syrit e vëmendjes së publikut, kjo nuk do të thotë se jam stakuar nga interesi politik e interesi për gjithçka ka të bëjë me këtë vend, demokracinë, PD dhe të ardhmen,” tha Basha.

Bojkoti i të rinjve

Ai tha se në zgjedhjet e fundit lokale të rinjtë e braktisën politikën, e cila riciklon të vjetrën.

“Vetëm 13% e votuesve për herë të parë morën pjesë në zgjedhje. Rinia gjithmonë është aktive, por politika i thërret ata vetëm për hallet e tyre. Mospjesëmarrja, bojkoti është një mesazh për politikën. Nuk kishte ofertë në këto zgjedhje. Gjuhë agresive, sulme, tallava por jo ofertë. Politika na është kthyer në një Big Brother. Politika riciklon të vjetrën. Si do krijohen hapësira për të rinjtë nëse riciklohet e vjetra? 14 maji data e skandencës së sistemit politik në Shqipëri”.

Basha kishte 3 propozime:

1. Lista të hapura

“Propozimi i parë për t’i krijuar hapësirë rinisë është lista të hapura anembanë vendit. Të përcaktoni ju vetë se kush do shkojë në parlament jo kryetarët e partive. Të nisim bashkë një rrugëtim me këtë propozim!”

2. Vetingu politik

“Propozimi i dytë, vetingu i politikanëve. Boll me sharje e akuza nga mëngjesi në darkë. Hetim të plotë të aseteve personale e kontakteve të papërshtatshme. Vetingu në politikë, emergjencë kombëtare.”

3. Kufizim i mandateve

“Asnjë kryeministër që nuk arrin të realizojë objektivat e veta për dy mandate, nuk mund ta bëjë në një mandat të tretë”.