Kryeministri Rama njoftoi se ka pranuar listat e hapura, por që sistemi nuk do ndryshojë. Gjatë konferencës për mediat për Reformën Zgjedhore ai tha se është i gatshëm ta bëjë Bashën pjesë të fitores. ‘Por unë nuk punoj që PS të humbasë’, deklaroi kryeministri.
Për marrëveshjen, duke pranuar kushtin e opozitës brenda parlamentit që të pranojë listat e hapura, Rama tha se nuk është se ndryshuan rregullat e lojës, por një ndryshim që fut në lojë qytetarët me shumë seç kanë qenë deri më sot.
‘Është e qartë se unë nuk punoj që PS të humbasë. Unë jam i gatshëm ta bëj Bashën pjesë të fitores, por nuk jam i gatshëm të punoj me gjithë grupin e PS që të bëjmë gjithçka që të humbasim. Ky nuk është ndryshim i rregullave të lojës, fare. Rregullat e lojës janë të gjitha të shkruara në marrëveshje. Ky është një ndryshim që fut qytetarët në lojë më shumë sec janë deri sot. Nga ana tjetër, kush kërkon alibi e bën për të krijuar situata konflikti. Fitorja ime është që Shqipëria të vijojë dhe të bëhet më e mirë, të ecë më shpejt në rrugën e integrimit, dhe pjesë e kësaj fitoreje do të dëshiroja që të kisha Bashën dhe PD-në por edhe të tjerët. Diskutimi për ç'ka po flasim sot sipas kornizës kushtetuese për të hapur listat, ka filluar shumë kohë më parë. Parlamenti është legjitim dhe sovran. Marrëveshja nuk preket dhe do e themi deri në fund. Prekja e marrëveshjes është diçka materiale, jo interpretative, të më thonë cilën pikë të marrëveshjes ne prekim duke hapur listat'?
Rama tha se ky ndryshim me lista të hapura nuk do të sjellë ndryshimin e sistemit dhe nuk do ketë koalicione zgjedhore.
Por pse Rama tha jam i gatshëm ta bëj Bashën pjesë e fitores?
Basha në konferencë pas tij tha se propozimi i Ramës është që Basha të bëhet kryeministër dhe ai vetë president.
Reforma Zgjedhore kërkon votat e deputetëve të opozitës. Deri më tani 6 kanë konfirmuar që do votojnë pro, ndërsa Lefter Maliqi tha se janë 11 deputetë nga opozita parlamentare që do të votojnë, por nuk përmendi emra.