Politikë

Jemi vetëm! Nuk kemi kujt t'ia shtrijmë dorën dhe s'kemi dhjamin e Amerikës dhe Gjermanisë. Do bëjmë kështu!

Mesazhi që Edi Rama po përsërit veçanërisht në fjalimin e tij është fakti që në këtë luftë që s’ dimë kur mbaron, si mbaron, një gjë është e qartë si drita e diellit: jemi vetëm! Asnjë që nuk flet e s’di shqip nuk të dëgjon dot!

Jemi vetëm! Nuk kemi kujt t'ia shtrijmë dorën dhe

Rama: 

Kjo është një luftë, ku asnjë aleancë mes shtetesh nuk ekziston dhe nuk duket ende në horizont! Një luftë botërore, ku secili është më vete dhe Zoti mbetet i vetmi që është për të gjithë!

Prandaj motra e vëllezër, ndajeni mendjen bashkë me mua, se në këtë luftë jemi vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin! O luftojmë bashkë, si një si një njeri i vetëm kur përballet me hijen e vdekjes, o të gjithë bashkë si popull do të biem në një humnerë, ku njësoj si të vdekurit e shkretë dhe të panumërt, në zonën e Bergamos, s'do ketë kush të na varrosë e jo më të na qajë!

Ne, Shqipëria, qeveria, unë që më qëlloi të jem në krye të kësaj pune në këtë kohë të mallkuar, nuk jemi as më të mencur, as më të ditur, as më të fortë jo e jo, se sa ata që humbën kohë me iluzionin që virusi do zhdukej vetë dhe ngurruan, me javë të tëra, të armatosen me masat shtrënguese që kufizojnë rëndë lirinë e njerëzve për të garantuar shëndetin e tyre.

Por pikërisht pse jemi më të dobët se sa ata, ne vrapuam më shpejt për t'u mbyllur në shtëpi! Dhe do të vazhdojmë kështu, pa asnjë iluzion, pa fjalë të sheqerosura dhe pa asnjë ngurrim, deri kur ky armik i egër të shporret nga vendi ynë!

Nuk e dimë, askush nuk e di, nuk e dinë as ata që i dinë të gjitha, nga Amerika në Gjermani, në Francë, në Britaninë e Madhe e deri në Izrael a në Japoni, se kur do të vijë dita e clirimit tonë nga ky makth! Por të gjithë e dinë se nuk do të vijë as javën tjetër, as pas dy javësh. Dhe kur të kalojnë dy javë, do thonë na duhen edhe dy të tjera, e kështu me radhë, vetëm Zoti e di se deri kur...

Edhe njëherë, motra e vëllezër, ndajeni bashkë me mua mendjen, që në këtë luftë për ekzistencë në kuptimin më brutal të fjalës, jemi vetëm!

Nuk jemi pas tërmetit, kur na ra tavani mbi kokë, varrosëm 51 anëtarë të familjes sonë, kuruam plagët e afro njëmijë të tjerëve, riprogruam buxhetin tonë për të kthyer në shtëpi 17 mijë motra e vëllezër që mbetën me qiellin mbi kokë në mes të dimrit, morëm rrugët e botës me dorën shtrirë si hallexhinj dhe i hapëm me shqelmin e argumentave bindës, dyert e mbarë botës duke garantuar fondet e Rindërtimit!

Jo, s'jemi pas tërmetit këtë herë, po jemi pasi na ka hyrë në shtëpi një armik që rrezikon të na marrë qindra, në mos mijëra jetë dhe të na shtrijë spitaleve, në mos palestrave e sallave të koncerteve, mijëra e mijëra njerëz të zemrës, nëse nuk zbulojmë përditë brenda vetes fuqinë e durimit më të jashtëzakonshëm dhe nëse nuk e ndajmë mendjen më fort se kurrë, që në këtë hall sa një mal mbi kokë, jemi vetëm, kemi vetëm veten dhe njëri-tjetrin e askush që nuk jeton shqip, nuk flet shqip, nuk qan shqip, nuk na dëgjon!

Nuk kemi kujt t'ia shtrijmë dorën askujt tjetër, sepse askush nuk e shikon hallin që na zuri dhe nuk kemi asnjë derë tjetër përvec dyerve të zemrave tona ku të trokasim, sepse s'ka mbetur më derë në botë që nuk është mbyllur.

Kush i'a shtrin dorën tjetrit në familjet e në rrethet tona shoqërore? Më i madhi, më i dituri, më i forti natyrisht. Ai bën sa di e sa mundet, që tjetri, më i vogël a i më moshuar ose i prekur nga një sëmundje a i zënë në befasi nga një hall, të ndihmohet me të gjitha mundësitë. Sot ai, që në të përditshmen e zakonshme mund të qëllojë të jetë secili prej nesh në shtëpitë tona, është shteti, qeveria, në shtëpinë tonë të përbashkët, ku shumica dërrmuese e familjeve pyesin me plot të drejtë veten, cfarë do të bëhet me pagat tona këtë muaj që e mbyllëm dyqanin ku punonim familjarisht? Të tjerë pyesin, cfarë do të bëhet me detyrimet e sipërrmarrjes në bankë këtë muaj? Po punonjësit që u mbyllën në shtëpi si do t'i paguaj? Të tjerë akoma pyesin, po në shtëpinë tonë që mezi mbahet me një ndihmë ekonomike, si do vejë ky hall? Ka ca të tjerë që pyesin, po jeta ime në cadër si do vazhdojë, kur as nga cadra nuk duhet të dal? Ka edhe ca të tjerë, të moshuar e të vetmuar, disa me fëmijët larg e disa pa njeri, që s'guxojnë fare as ta pyesin veten nëse në derën nga nuk dalin dot, do trokasë dikush për të sjellë dicka që mban frymën gjallë? Ka patjetër edhe ca allasoj, që pyesin c'do bëjë kryeministri dhe pse xhanëm s'po e bën akoma gjënë më të thjeshtë, se ja Trumpi e bërë, nxorri triliona, Merkeli e bëri nxorri qindra miliardë, Macroni e Xhonsoni hapën thesin e miliarda që nuk numërohen u derdhën nëpër xhepat e miletit!




Po unë, unë që duhet t'i dëgjoj të gjithë dhe që dëgjoj sa mundem, duke lundruar me sy në lumenjtë e komenteve tuaja, derisa sytë më mbyllen në 3 a 4 të mëngjesit, cfarë pyetje i bëj vetes kur hap sytë pas 2 a 3 orësh?

Pyetja ime që s'më ndahet është:

Deri kur vazhdon kjo luftë? Dhe e vetmja përgjigje që kam deri tani, është ajo fjalia e Lyndon Jonson-it, kur i ra për hise të dilte para popullit amerikan për t'i dhënë lajmin e zi të vrasjes së John Kennedy-t:

Do të jepja me kënaqësi gjithcka kam, që të mos isha unë këtu sot përpara jush!

Por natyrisht, unë jam sot këtu, në krye të këtij vendi ku kjo luftë e ktheu popullin e tërë, në një familje në kuptimin më të vërtetë të fjalës dhe përgjigja e Lyndon Jonnson-it, nuk zgjidh asgjë, po tregon vetëm një gjë:

Jo unë, po askush në këtë botë, as ata që janë në krye të shteteve që i dinë të gjitha, nuk e dinë se deri kur vazhdon kjo luftë!

Ato historitë, më saktë përrallat që tregohen studiove televizive me Amerikë e me Gjermani, e para nuk janë ashtu si tregohen dhe e dyta nuk janë për ne ato as ashtu sic janë! Amerika, Gjermania e shtresa e tyre e lartë në familjen e njerëzimit, i kanë ekonomitë me dhjamë dhe bëjnë si bëjnë, nëse nuk u del basti me kohën e shkurtër që kanë parashikuar se do të zgjasë lufta. Ndërsa Shqipëria dhjamë të tepërt ka vetëm në trutë e atyre që nuk duan ta qeverisin pa ditur tabelën e shumëzimit, të atyre të nginjurve me veten që japin mendtë që nuk kanë, për cdo lloj teme të kësaj bote nga klubet televizive e nga mensat online me gjellë pasanikësh, si edhe të disa të kamurve me biznese të mëdha që si në paqe, si në luftë, i kërkojnë qeverisë qiqrra në hell!

Ekonomia e shtëpisë sonë të vogël njëkatëshe, Shqipërisë, nuk mund të financojë në këtë luftë as zbatimin në praktikë të ëndrrave opozitare, as kuturisjen pas planeve amerikane, gjermane apo, as fitimin e munguar të kompanive të mëdha për shkak të luftës!