Politikë

Jo presidenti më, por një kancelar i emëruar nga Rama do të japë dekoratat

Jo presidenti më, por një kancelar i emëruar nga Rama do të
Gazetari Gjergj Erebara i Reporter.al në një artikull të detajuar zbulon projektligjin e ri të qeverisë, që parashikon një kapitull të ri me dekoratat. Shumë shpejt do të kenë një kancelar që emërohet nga kryeministri që do të japë dekoratat, dhe presidenti do ketë në këshill vetëm një anëtar të tij.

Ja si do të funksionojë dhe si do të quhen tani dekoratat e reja të cilat ndryshojnë adresë, por edhe emërtimet.

Projektligji parashikon njëmbëdhjetë tituj nderi dhe medalje, ku secili nga titujt ka disa kategori. Titulli më i lartë do të quhet “Urdhri suprem i Shqiponjës”, e cila zëvendëson në këtë mënyrë dekoratën e Flamurit Kombëtar, e cila ishte dekorata më e lartë e ligjit aktual. Ajo do të jepet në gjashtë kategori: Gjerdani i madh, Ylli i Madh, Oficer i Madh, Komandar, Oficer dhe Kalorës. Presidenti i Republikës për shkak të funksionit shpallet menjëherë komandant i këtij urdhri me titullin “Ylli i Madh” ndërsa mbajtësit e titullit Ylli i Madh do të nderohen pas vdekjes me funeral ushtarak. Urdhri i Skënderbeut do të ketë gjithashtu të njëjtat kategori ndërsa në rang të tretë do të jetë Urdhri i Lisit Akademik, në bazë të së cilit, qytetarët me merita të veçanta në kulturë, shkencë, arte apo sport, do të mund të nderohen me titujt: Ylli i madh, Komandar ose Kalorës. Edhe në këtë rast, presidenti i republikës shpallet kryesisht komandant i ushtrit të lisit akademik pavarësisht nëse është apo jo akademik.

Projektligji parashikon 20 tituj kalorës të të shqiponjës dhe 50 kalorës të Skënderbeut pasuar nga 80 kalorës të lisit akademik të dhëna çdo vit. Në vitet pasardhëse, këta kalorës do të kenë mundësinë të ngjisin shkallët e karrierës së titujve duke u bërë Komandarë, Oficerë e të tjerë më sipër, deri sa të bëhen Yll i Madh.

Rama ka ruajtur për vete Medaljen e Meritës Civile, të cilën do të ketë të drejtë t’ia akordojë qytetarëve të ndryshëm. Rama do të ketë të drejtë të pajisë qytetarët me medalje të artë, të argjendtë ose të bronztë ndërsa ka të drejtë të pajisë të njëjtët njerëz më shumë se një herë.

Projektligji thekson se urdhrat duhet të jepen për njerëzit që janë gjallë “ose menjëherë pas vdekjes” me përjashtime të medaljes Pishtar i Demokracisë, dukshëm ky një reflektim ndaj dilemave të shkaktuara nga dekretet e Metës për të shpërndarë dekorata për figura të ndryshme historike si Pjetër Bogdani.

Medaljet dhe dekoratat nuk mbartin shpërblim financiar por të dekoruarit, sipas projektligjit, do të kenë trajtim prioritar në protokollin e shtetit, pra në rastet kur ka ceremoni publike, ata do të mund të zënë vend në rradhë të parë apo të hyjnë të parët.

Sipas projektligjit të propozuar, medaljet, pavarësisht se do të firmosen formalisht nga presidenti, do të kalojnë fillimisht nga një institucion i ri i quajtur Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve. Kancelaria do të drejtohet nga Kancelari, i cili, sipas projektligjit, do të emërohet dhe shkarkohet nga kryeministri dhe pranë tij do të funksionojë një “Kolegj i Urdhrave dhe Medaljeve”, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të kontrolluara kryesisht nga kryeministri si dhe një përfaqësues i presidencës, i cili do të ketë rolin e nënkryetarit. Projektligji i jep dorë të lirë kryeministrit të emërojë dhe shkarkojë kancelarin sipas dëshirës, “bazuar në kodin e punës”.

Në administratën publike shqiptare, kodi i punës zbatohet për marrëdhëniet e punës së rëndomta dhe nuk i jep mbrojtje zyrtarëve publikë nga pushimet e padrejta nga puna ndërsa Statusi i Nëpunësit Civil është ligji që duhet teorikisht të mbulojë marrëdhëniet e punës së zyrtarëve të nivelit të mesëm dhe të lartë të administratës publike dhe t’i mbrojë këta të fundit nga diskrecioni politik i drejtuesve politikë të institucioneve. Fakti që kryeministri ka zgjedhur kodin e punës për rregullimin e marrëdhënieve të punës së kancelarit, i jep atij mundësi të zgjedhë dhe shkarkojë kancelarë sipas dëshirës.

Pavarësisht kësaj, projektligji sanksionon që kancelari, për shkak të funksionit, të mbajë një titull të lartë. Ai do të quhet: Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës.