Politikë

Kallëzimi në SPAK për inceneratorët, a mban përgjegjësi LSI për të ish-ministrin Lefter Koka?

Kallëzimi në SPAK për inceneratorët, a mban

Një ditë më parë Partia Demokratike depozitoi në Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) kallëzimin për inceneratorët duke pretenduar se është kryer një vjedhje disa miliona euro.

Lidhur me këtë temë foli sot në një dalje për mediat edhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, e cila tha se në skandalin e inceneratorëve ka një përfshirje kriminale dhe korruptive jo vetëm të strukturave të shtetit por edhe të sistemit të drejtësisë.

“Sot po shohim arrogancë dhe abuzim me qytetarët. Ajo që bën përshtypje është pafyryrësia e qeverisë ku mjafton të fokusohemi në skandalin e inceneratorëve të cilët për hir të së vërtetës kemi një përfshirje kriminale dhe korruptive jo vetëm të strukturave të shtetit por edhe një heshtje dhe vendosje në gjum të sistemit të drejtësisë”, tha Kryemadhi.

Menjëherë pas kësaj deklarate Kryemadhi është përballur me pyetjen nëse mban përgjegjësi LSI për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i cili ishte mes të akuzuarve dhe pretendohet se në vitin 2014 ka nënshkruar marëveshje me firmat koncesionare.

Kryemadhi tha se LSI nuk mban asnjë përgjegjësi për angazhimet personale të secilit që është pjesë e partisë. Ajo shtoi se Koka ka ndërhyrë disa herë në strukturat e partisë për të mbyllur gojën për këtë gjë por nuk ka gjetur kompromis.

Ju folët për inceneratorët, por ndërkohë ditën e djeshme PD ka kallëzuar në Prokurori një ish-ministër të LSI, i cili i ka firmosur inceneratorët. A mban LSI përgjegjësi për këtë veprim të ish-ministrit të saj?

Kryemadhi: LSI nuk mban asnjë lloj përgjegjësie përsa i takon angazhimeve personale të secilit prej nesh. LSI do të mbante përgjegjësi nëse do të kishte qenë palë në këtë miratim. Do ju kujtoja se përsa i përket çështjes së inceneratorëve ka qenë Petrit Vasili i pari që e ka kundërshtuar dhe e ka sulmuar edhe pse ndërhyrja herë pas herë e zotit Koka në strukturat e partisë për të mbyllur gojën për këtë gjë ka qenë e shpeshtë, por asnjëherë LSI nuk e ka pranuar. Unë kam qenë në krye të protestës në Fier përsa i përket inceneratorëve.

LSI nuk bën kompromise qoftë edhe me drejtues të LSI për të ndërtuar pasurinë e vet personale në kurriz të shqiptarëve.