Politikë

Këshilli Politik mblidhet nesër, jo Online! Pse po nxitojnë palët?

Këshilli Politik mblidhet nesër, jo Online! Pse po nxitojnë

Ditën e nesërme në orën 10:30 do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve takimi i radhës i Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore. Ky takim tashmë do jetë fizikisht dhe jo përmes Online. Mësohet se palët kanë rënë dakord që takimi të zhvillohej nesër, me synimin që drafti të përfundojë brenda 31 majit dhe për këtë arsye takimet do jenë më të shpeshta. 

Qëndrimi që do të ketë Opozita nesër, pritet të bëhet me dije sot pasdite, pasi kreu i PD-së Lulzim Basha do të ketë një takim me aleatët e tij.

Kujtojmë se edhe dje pati një takim online mes palëve. Por ku çalon reforma zgjedhore?

Palët ndahen tek çështjet që sipas PD duhet të diskutohen. Opozita kërkon që puna e Këshillit të nisë me propozimet e tyre, por Gjiknuri deklaroi dje pas mbledhjes, se nuk do të ketë një rifillim loje dhe se diskutimet fillojnë aty ku u lanë.

“Duhet bërë e qartë që nuk kemi të bëjmë rifillim loje, por me aty ku e lamë. Nuk mund t’i rikthehemi lojës nga e para”.

Kësaj deklarate, Bylykbashi iu përgjigj duke thënë se maxhoranca po tregon mungesë vullneti për çështjet madhore.

“Nuk i rikthehemi asnjë çështje, çështjet i kemi mbi tryezë. Është mazhoranca që nuk ka dhënë asnjë përgjigje”.

Por Gjiknuri tha se  për çështjet që opozita dhe mazhoranca nuk kanë konsensus do të merret OSBE/ODIHR me ekspertët.

Ndërsa Rudina Hajdari insiston për ndryshim të sistemit Zgjedhor.