Politikë

Kolegji Zgjedhor vendos sot përfundimisht për fletën e votimit! Ja kërkesat e PD

Kolegji Zgjedhor vendos sot përfundimisht për fletën e votimit!

Prej gati një ore ka nisur mbledhja e Kolegjit Zgjedhor që do i japë fund sagës për formatin e fletës së votimit për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Ka qenë Partia Demokratike, e cila po ashtu si në rastin e numrit të kandidatëve, ka mbajtur peng procesin, e cila tanimë ka ankimuar dy vendime të KAS.

Pikë së pari, PD kërkon që fleta e votimit të pasqyrojë emrat e kandidatëve, duke argumentuar se diçka e tillë sanksionohet në frymën e Kodit Zgjedhor ku shkruhet se “kandidatët duhet të jenë lehtësisht të identifikueshëm”. Gjithashtu, PD kërkon që logoja e Partisë “Bindja Demokratike” të ndryshojë format pasi është shumë e ngjashme me logon e demokratëve, çka mund të shkaktojë konfuzion tek votuesit. Këtyre kërkesave të PD, i është bashkuar edhe përfaqësuesi ligjor i LSI.

Kujtojmë se fillimisht, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi përzgjodhi një variant të fletës së votimit, ku ishin të renditur emrat e kandidatëve për deputet, ndërkohë që pas ankimimit të PS, KAS ka vendosur për fletë numerike.

Sot pritet vendimi i Kolegjit Zgjedhor për formatin përfundimtar të fletës së votimit, në mënyrë që të fillojë printimi i menjëhershëm i tyre, pasi kompania sllovene e ngarkuar me këtë detyrë është shprehur se është mision thuajse i pamundur që fletët e votimit të mbërrijnë në kohë, në kushtet kur procesi është vonuar kaq shumë.

Tiranapost.al