Politikë

KQZ lë jashtë koalicionit me Metën Partinë Demokratike

KQZ lë jashtë koalicionit me Metën Partinë Demokratike

Koalicioni i kryesuar nga Ilir Meta me Partinë e Lirisë “Bashkë Fitojmë” u regjistrua ditën e sotme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por pa Partinë Demokratike.

Ishte përfaqësuesi i përhershëm i PD në KQZ, Indrit Sefa ai i cili kërkoi nga komisioneri Celibashi të rrëzohej kërkesa për regjistrimin e këtij koalicioni, me argumentin se PD (e Alibeajt) nuk ka bërë kërkesë për asnjë bashkëpunim në koalicion.

Kreu i këtij Komisioni Ilirjan Celibashi, tha se, meqë mungon vullneti i PD, në këtë koalicion do të marrin pjesë vetëm PL, PDK e Nard Ndokës dhe PBDNJ.

"Jemi para të njëjtës situatë sikurse ishte ajo e zgjedhjeve të 6 marsit. Sipas asaj që thotë përfaqësuesi i PD, që PD nuk është pjesë e asnjë koalicioni, mungon vullneti i PD për të qenë pjesë e një koalicioni. Ndaj nuk shoh shkak për të marrë vendim të pjesshëm, apo të ndërmjetëm për të bërë plotësim dokumentacioni. Në analizë të të gjitha cfarë përmenda, do regjistrojmë koalicionin Bashkë Fitojmë por me parti pjesëmarrëse PL, PDK dhe PBDNJ. Me shkronjë nistore të këtij koalicioni BF. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë" u shpreh Ceibashi.