Politikë

Kriza Kushtetuese/ 'Venecia' tregon datën kur do publikohet opinioni final, u vë afat edhe palëve politike

Kriza Kushtetuese/  'Venecia' tregon datën kur do publikohet

Me datë 22 mars Komisioni i Venecias do publikojë raportin përfundimtar, opinionin për ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Sot ishte afati i qarkullimit të draft-opinionit vendosur nga Komisioni i Venecias për palët, ndërsa data 13 mars është afati për palët politike shqiptare dhe presidencës që të dorëzojnë komentet.

Siç bëhet me dije, para datës 19 mars do të bëhet përgatitja nga raportuesit për një version të rishikuar mbi bazën e komenteve të marra dhe me datë 20 mars ora 12:00 është afati për komentet finale (anëtarë zëvendësues mund të komentojnë në vend të anëtarëve). Nëse nuk ka asnjë koment deri më datë 20 mars, opinioni do të miratohet dhe do të publikohet me 22 mars.

Opinioni që politika pret nga Komisioni i Venecias ka të bëjë me krizën e Gjykatës Kushtetuese dhe përplasja për anëtarët, Maxhorancë-presidencë- Kuvend.

Kujtojmë se Kuvendi ka miratuar një ndryshim lidhur me betimin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese, pas situatës së ndodhur me gjyqtaren Arta Vorpsi, e cila nuk u ftua nga presidenti në ceremoninë e betimit dhe për pasojë ajo u betua tek një notere.

Sipas Kuvendit Arta Vorpsi u zgjodh automatikisht për shkak se presidentit i kaloi afati. Ndërsa Meta ka kallëzuar në SPAK kreun e KED Ardian Dvorani të cilin e akuzon për shkelje të ligjit dhe tejkalim kompetencash në lidhje me listat dhe pikëzimet e kandidatëve.