Politikë

Kryeministri sfidon opozitën në parlament: Votoni për pagë minimale! Gati jam

Kryeministri sfidon opozitën në parlament: Votoni për pagë

Në fjalën e tij në seancë plenare, kryeminstri Edi Rama e ka quajtur hipokrizi deklaratën e deputetit të opozitës, Dashnor Sula, se shtesën e pagës do e çojë për Shoqatën e jetimëve në Peqin.

Rama gjithashtu sfidoi deputetët e opozitës për të votuar që të paguhen me pagë minimale.

“Është hipokrizi e madhe çfarë dëgjova më parë, hipokrizi për të vënë duart në kokë. Nivelet e pagave përcaktohen me logjikë që është e një ekspertize të caktuar dhe ka një piramidë pagash. Jua kam thënë që kur flas, i mësoj shumë mirë për fushën që nuk di. Nuk mund të ndërtosh piramidë e të vendosësh presidentin nën një mësues pavarësisht se puna e përditshme mund të jetë më me stres. Nuk mund të kemi prokuror që paguhen më shumë se presidenti. S’mund të kemi gjykatës që paguhet më shumë se Ministri i Drejtësisë.

Doni të bëni këtë qarjen e halleve? S’keni pse t’ja çoni jetimoreve. Hajde vendosni pagë minimale për deputetët. Të paguhen deputetët e ministrat me pagë minimale. Mendoj që nuk i hyhet këtij monopati për t’u tallur me ata që na ndjekin. Nuk e dini ende se shqiptarët kush i merr për budallenj e kollaj, mund të gënjehet për një farë kohe”, tha Rama.