Kurti flet pas takimeve në Tiranë: Folëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur pas vizitës zyrtare në Tiranë dhe tematikës qëndrore të çdo takimi, nga ai me kryeministrin Rama, presidentin Begaj, kryeparlamentaren Nikolla apo Metën.
“Jam takuar sot me krerët e institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Vizitë pune në Tiranë, e fillova me presidentin Bajram Begaj, për të vazhduar me kryetaren e Kuvendit të Republikës, zonjën Lindita Nikolla. Pastaj një drekë pune me kryeministrin Edi Rama dhe ish-presidentin Meta. Gjatë këtyre takimeve unë theksova dy gjëra kryesore.
E para është suksesi dhe progresi demokratik e ekonomik i Kosovës në këto 2 vite të qeverisjes sonë, që është një progres i pashembullt në Kosovën e pavarur. Në anën tjetër, i informova për detajet e përmbajtjes së marrëveshjeve që kemi realizuar së pari në Bruksel dhe më pas edhe aneksin e zbatimit në Ohër për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Dëshirova që t’i njoftoj për së afërmi dhe në hollësi me procesin e dialogut, por gjithashtu me elementët përbërës të marrëveshjes që tashmë duhet të realizohet”, u shpreh Kurti.