Politikë

Kush duhet të prevalojë mes Procesit të Berlinit dhe Open Balkan, Merkel: Procesi i Berlinit bërthama. Nuk mund të zëvendësohet

Angela Merkel nuk e ka refuzuar iniciativën e quajtur Open Balkan, por ajo duke bërë krahasimin me historinë dhe si një politikanë që vinte nga Gjermania Lindore, thotë se çdo bashkëpunim i bën mirë rajonit, por ajo i qëndron fort idesë se Procesi i Berlinit mbetet bërthama dhe i pazëvendësueshëm. Edhe Kryeministri komentoi se Open Balkan nuk është një alternativë e Procesit të Berlinit dhe jo një nismë në kontradiktë. ‘Është një mekanizëm’, thotë Rama për të përshpejtuar Procesin e Berlinit.

Kush duhet të prevalojë mes Procesit të Berlinit dhe Open Balkan,

Më poshtë pyetja dhe përgjigjet e plota të kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama për një temë që ka sjellë jo pak debat dhe ka krijuar kritikë e sulme për treshen Rama-Vuçiç- Zaev.

Pyetja: Me largimin tuaj Ballkani Perëndimor humb një mike të jashtëzakonshme, një avokate të fortë, kush mendoni se nga kolegët tuaj udhëheqës në BE mund të përkujdeset njësoj me atë përkushtim në Ballkanin Perëndimor. Dhe për kryeministrin Rama: Në axhendën e udhëheqësve të BP-së, kush duhet të prevalojë, Open Balkan apo Procesi i Berlinit?

Angela Merkel: “Po, procesi i Berlinit nëse me lejoni të them është bërthama e gjithçkaje dhe sigurisht në këtë kontekst procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet. Gjërat thjesht mund të përshpejtohen brenda këtij procesi. Pikë së pari Ballkanin Perëndimor vitet e fundit ka mësuar të bashkëpunojë me njëri -tjetrin dhe jo vetëm të qëndrojnë ulur me njëri tjetrin. Nuk ka rëndësi nëse është kancelari austriak Kurz apo presidenti Macron apo Von der Leyen, apo Charl Michell. Pra ka shumë miq të BP. Macron e ka shëtitur gjithë rajonin, ne kemi zhvilluar bashkarisht takime në Berlin, sikundër kemi dhe punuar së bashku pra në kuadër të projekteve të ndryshme. Kurz gjithashtu është një mik i rajonit, çdo kancelar tjetër do jetë mik. Prej secilit prej këtyre vendeve ka shumë njerëz në vende të ndryshme në BE që punojnë dhe jetojnë atje. Ndaj dhe interesi për të bashkëpunuar është mjaft i madh. E kemi treguar dhe gjatë ushtrimit të detyrës time por dhe përpara kësaj. Unë vij sikundër tha Rama nga ish Gjermania Lindore dhe kam parë se çfarë force, energjie do duhet për të kapërcyer diferencat historike, në kontekstin përkundrejt Polonisë, apo nacional socializmit. Pra çdo kancelar federal është i vetëdijshëm për këtë lloj përgjegjësie. Ballkani Perëndimor ka shumë miq në Europë dhe me lejoni t’ju siguroj për këtë”.

Edi Rama: “Meqe kancelarja iu përgjigj edhe pyetjes time, po i përgjigjem dhe unë pyetjes për kancelaren. Angela Merkel është një 1 dhe nuk vjen më. Nuk është asnjëherë e lehtë të flasësh kur është prezente, për arsye të historisë së saj dhe eksperiencës së jashtëzakonshme në 4 mandate rresht në krye të lokomotivës së BE. Open Balkan është pjellë e Procesit të Berlinit, jo alternativë e procesit të Berlinit, jo një nismë në kontradiktë, është pjellë e Procesit të Berlinit. Open Ballkan është as më shumë e as më pak por një mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit. Kaq! Nuk ka Open Balkan brenda asgjë që kontradikton Procesin e Berlinit. Përkundrazi është marrja në dorë e Procesit pa pritur që njëherë në vit të mblidhen diku të tjerët për ne, apo që disa të tjerë në Bruksel ta bëjnë këtë punë për ne dhe rezultatet kanë filluar të flasin dhe do flasin gjithmonë e më shumë, Open Balkan është asgjë më shumë sesa mjeti i rajonit për të implementuar Procesin e Berlinit, kush i vë këto kundër njëra tjetrës, apo se bien ndesh, ose e bën me qellim ose nuk e kupton dhe gjëja tjetër e rëndësishme që me kancelaren diskutuam me kolegët është se teoritë e konspiracionit , që jo nismat rajonale janë të organizuara nga forca të treta apo janë të hedhura këtu nga BE, për të na gënjyer ne që të krijojmë këtu një mikro BE që mos të na fusin në BE janë dokrra fare. Kancelarja në 2014 në tryezën e kancelarisë ka thënë: Ju nuk jeni ne BE, por ju jeni evropianë, dhe pikërisht për këtë arsye duhet të nisim një proces që paralelisht me punën individuale, ju së bashku dhe ne në mbështetjen tuaj të punojmë që rajoni të ngrihet nga pikëpamja politike ekonomike dhe sociale, pra paralelisht, s’kemi pse presim të hyjmë në BE që të ndërtojmë autostradat apo infrastrukturën digjitale apo të ndërtojmë tregjet e përbashkëta. Ky është thelbi”.

*Tiranapost.al.