Kush është Keir Starmer, djali i dy punëtorëve të thjeshtë që do drejtojë Britaninë
Laburistët kanë triumfuar në Britaninë e Madhe, dhe Keir Starmer, si lider i partisë më të votuar, do të bëhet kryeministri i ardhshëm.
“Ne ia dolëm! Ndryshimi fillon tani. Partia Laburiste ka ndryshuar, është e gatshme t'i shërbejë vendit tonë, e gatshme të rikthejë Britaninë në shërbim të njerëzve që punojnë. Mandati vjen me përgjegjësi të mëdha. Ne duhet ta kthejmë politikën në shërbim të publikut. Ky është testi i madh i politikës në këtë epokë: lufta për besim është beteja përcaktuese e epokës sonë. Fillimisht vendi, pastaj partia është një parim udhëzues.” tha lideri laburist Keir Starmer në fjalimin e tij për të komentuar rezultatin e votimit.
Po kush është Keir Starmer?
61-vjeç, ish-avokat për të drejtat e njeriut, ish-kryeprokuror i Anglisë dhe Uellsit, dhe tifoz i madh i 'Arsenalit, dhe futbollist i zoti në ndeshjet javore 5-me-5 me miqtë.
Keir është i martuar me Victoria Starmer, një avokate 50-vjeçare hebre, e vendosur për të mbrojtur privatësinë e saj dhe të dy fëmijëve të tyre, shkruajnë mediat.
Ai mban titullin Sir, i marrë për detyrën e magjistratit dhe është djali i një punëtori dhe një infermiereje, i pari në familjen e tij që u diplomua. Krenar që ishte nga një prejardhje e klasës punëtore, Starmer së fundmi kujtoi se, për të përballuar jetesën, prindërit në një moment u detyruan të hiqnin dorë nga telefonat e tyre.
Ai iu bashkua Laburistëve në moshën 16-vjeçare. Diplomë juridike nga Leeds, master në Oksford, karrierë brilante si avokat, avokat i rangut të lartë, që merret me të drejtat e njeriut, pastaj edhe këshilltar i mbretit, në fund emërimi si Prokuror i Përgjithshëm. Në vitin 2015 u zgjodh deputet, në 2019 fitoi lehtësisht zgjedhjet paraprake të partisë për të pasuar Jeremy Corbyn, i cili u mund nga Boris Johnson.
Keir kishte qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Corbyn, por tani ai zbulon: "E dija se do të humbiste". Duke marrë postin, fillimisht tha se do të bashkonte nostalgjikët për Blairizmin dhe korbinët e hekurt, por disfata më e keqe e pësuar nga laburistët në pothuajse një shekull e bëri atë të shkëputej nga radikalizmi i paraardhësit të tij, duke marrë pa hezitim një rrugë që i ngjan Rrugës së Tretë të Blair: ai me siguri nuk ka karizmën e Tony-t, por ka të njëjtën vendosmëri.
Myslimanët britanikë dhe socialistët e rinj e akuzojnë se nuk e kritikoi mjaftueshëm Izraelin në luftën e Gazës, por në fakt ai është në të njëjtat pozicione me SHBA-në dhe BE-në: dënon masakrat e Hamasit, mbështet një shtet palestinez, thotë se është gati të pranojë verdiktet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila akuzon kryeministrin izraelit Netanyahu për krime kundër njerëzimit