Politikë

Kuvendi nuk e njeh Berishën si pjesë të grupit parlamentar të PD

Kuvendi nuk e njeh Berishën si pjesë të grupit parlamentar

Dy seancat parlamentare të Kuvendit janë mbyllur dhe në orën 16:00 do të jetë seanca e fundit e ditës së sotme ku do të votohet qeveria e re. Por në listën që Kuvendi publikoi këtë të enjte lidhur me grupet Parlamentare, me Partinë Demokratike me 44 deputetë të deklaruar nga kreu aktual Lulzim Basha, emri i Sali Berishës nuk përfshihet. Kuvendi nuk e ka njohur as shkresën e Sali Berishës, i cili është vetëdeklaruar si pjesë e grupit parlamentar të PD-së.

Por çfarë do bëjë Sali Berisha tani?

Duket se do e ketë të vështirë për të krijuar të paktën një grup parlamentar, me deputetët e opozitës. Aktualisht ai ka vetëm tre mbështetës: Edi Palokën, Flamur Nokën dhe Tritan Shehun.

Si është ligji aktual?

Sipas përcaktimit të ligjit, deputetët të cilët janë tashmë në një grup parlamentar, mund të kalojnë në një grup tjetër. Por ata do duhet të qëndrojnë 6 muaj pa një grup parlamentar.

Kjo është relativisht një kohë e gjatë, por duket se lëvizjet e Berishës do të varen edhe nga veprimet konkretete që do të ndërmarrë. Akti i parë i tij kundër Bashës nis ditën e sotme, ku ai ka lajmëruar se do të ketë një konferencë dhe një takim me anëtarë të PD dhe mbështetës në Hotel Rogner në orën 18:00.

Lulzim Basha njoftoi largimin e Berishës nga grupi i PD për shkak të shpalljes non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ishte një vendim personal i tij, dhe i pa hedhur në votim, sipas Bashës për të mos krijuar përçarje brenda PD. Por siç u pa ato ishin të pashmangshme, ndonëse edhe Basha ka të ‘besuarit e tij’ në parti.

Vetë Sali Berisha e ka konsideruar këtë vendim të Bashës nul, dhe pjesë e pazareve me Edi Ramën.

*Tiranapost.al.