Politikë

Liderët europianë reagojnë pas vendimit të Maqedonisë së Veriut: Ju presim në Bruksel!

Liderët europianë reagojnë pas vendimit të Maqedonisë

Të shumta kanë qenë reagimet pas miratimit nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të propozimit francez, pas 3 ditësh debate të forta në vend. Maqedonia e cila për 3 vite kushtëzonte edhe rrugën e Shqipërisë drejt BE, ka marrë urime në bllok nga liderë europianë dhe të unionit.

Ja disa prej tyre:

Kancelari gjerman Olaf Scholz

Përshëndes votën e Parlamentit Maqedonas që hap rrugën për konferencat e para të anëtarësimit të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne ju duam anëtarë të BE-së dhe do të jemi krah jush përgjatë gjithë rrugës. (Postimi i tij u shpërnda edhe nga Kryeministri Edi Rama.)

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi

Unë mirëpres rezultatin e votimit të sotëm pas ditëve të fundit të diskutimeve të qëllimshme në Parlament duke dhënë mandat të qartë për Qeverinë për të mbajtur konferencën e Parë Ndërqeveritare bazuar në Propozimin Francez. Mezi presim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut të martën, ku do të takohemi në Bruksel. Maqedonia i përket BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen

Urime Maqedonisë së Veriut për votimin që tani hap rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një mundësi historike. Dhe ju e kapët atë. Një hap i madh në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje evropiane. E ardhmja juaj.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell

Në Maqedoninë e Veriut, Parlamenti ka votuar. Në favor të hapjes së negociatave për anëtarësim, në favor të së ardhmes sonë të përbashkët evropiane. Një hap vendimtar në rrugën drejt BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në momentet kur ne duhet të qëndrojmë së bashku për të përballuar sfidat e përbashkëta.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel

Votimi i sotëm hap rrugën për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut javën e ardhshme. Një hap vendimtar për Maqedoninë e Veriut dhe për BE-në. E ardhmja jonë është bashkë dhe ju mirëpresim krahëhapur.