Politikë

Limaj zbardh takimin me Ramën në Kosovë: Si do koordinohemi pas situatës me Hashim Thaçin

Limaj zbardh takimin me Ramën në Kosovë: Si do koordinohemi pas

Kryeministri Rama ndodhet në një vizitë dy-ditore në Kosovë, siç tregoi ai në një status më herët: për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi në historinë botërore drejtësisë, që praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur vetëm në epokat e sundimeve ideologjike.

Ai është takuar me përfaqësues politikë, mes tyre kreun e Nismës në Kosovë, Fatmir Limaj i cili ka zbardhur më shumë detaje rreth këtij takimi.

Përmes një postimi në Facebook, Limaj shkruan se bashkë diskutuan për mundësinë e koordinimit të veprimeve që duhet të ndërmerren si spektër politik në Kosovë pas situatës së krijuar me akuzat nga Haga ndaj Hashim Thaçit.

Fatmir Limaj shkruan:

Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në selinë e Nismës Socialdemokrate, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me bashkëpunëtorë, me të cilin diskutuam për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë për mundësinë e koordinimit të veprimeve që duhet ndërmarrim si spektër politik në Kosovë pas situatës së krijuar në vendin tonë. Bashkërisht konstatuam se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë̈ lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi.

Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetërorë të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit. Kosova nuk guxon të humbas orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë. Kryeministri Rama u shpreh i gatshëm që të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova.

Kryeministri Rama tanimë është në takim me Albin Kurtin, ish kryeministrin e Kosovës.

Limaj zbardh takimin me Ramën në Kosovë: Si do koordinohemi pas

Ndërkaq, sot në orën 20:00 presidenti Thaçi do të dalë me një deklaratë lidhur me akuzat për krime lufte nga prokuroria e Hagës. Pritet që ai të njoftojë dorëheqjen, nëse do të marë një vendim të tillë.