Majlinda Bregu: RCC ofron një tjetër investim për të rinjtë
Një investim më shumë, për të fuqizuar aftësitë e të rinjve e për t’u dhënë atyre më shumë shanse punësimi e zhvillimi, ç’ka është në fokus të axhendës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ishte qëllimi kryesor i nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, nënshkruar sot në Tiranë nga Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu dhe Rektores së Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini.
Duke nisur nga ky vit, për cdo vit, RCC do të ofrojë një bursë të plotë, Master i Integrimit Europian, për një student nga Evropa Juglindore, përfshirë Ballkanin Perëndimor, në Kolegjin e Evropës, Kampusi i Tiranës.
“E them me krenari se kjo iniciativë që ndërmeret për herë të parë nga RCC, është një tjetër sinjal i përkushtimit tonë në qasjen drejt Evropës. Nga 241 aplikime të pranuara për programin ETI në Tiranë janë përzgjedhur 121 të rinj, janë kryer rreth 118 intervista - aktualisht 33 studentë të pranuar, gjysma qytetarë të BE-së, gjysma të Ballkanit Perëndimor. Kolegji i Evropës nuk e ka finalizuar ende përzgjedhjen për bursë ndaj po presim me shumë kërshëri emrin e studentit që do të përfitojë nga bursa e RCC-së” tha Bregu.
“Ne jemi të lumtur që Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka vendosur të mbështesë Kolegjin e Evropës në ngritjen historike të kampusit tonë të ri në Tiranë, nëpërmjet një skeme të re bursash. Misioni i Kolegjit të Evropës drejt integrimit të mëtejshëm evropian është në përputhshmëri të plotë me misionin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, i cili ka punuar pa u lodhur drejt integrimit të plotë evropian të anëtarëve të tij që nga krijimi i tij. Ndërsa kampusi ynë do të rritet në vitet e ardhshme, ne jemi të përkushtuar të eksplorojmë më tej këtë partneritet dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të maksimizuar ndikimin tone.”- tha Ms Mogherini.
Bursa e ofruar nga RCC do të mbulojë shkollimin, akomodimin dhe ndër të tjera, udhëtimet studimore akademike. Studenti i mbështetur do të zgjidhet si kandidaturë, në përputhje me kërkesat e Kolegjit të Evropës. Kurset do të fillojnë në gusht.