Politikë

Manastirliu: Finacojmë rreth 4 milion dollarë për vaksinat anti-covid, fillimisht do të vaksinohet 20% e popullatës

Manastirliu: Finacojmë rreth 4 milion dollarë për vaksinat

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës saj në Kuvend tha se qeveria shqiptare përmes marrëveshjes që do të ratifikohet në Kuvend me Aleancën Gavi, do të financojë 3 milion e 900 mijë dollarë për të siguruar vaksinën anti-covid, sapo ajo të jetë e disponueshme.

“Ne me aktin që miratojmë sot, i cili do të bëhet një ligj, japim mundësi që në momentin që vaksina të jetë efektive dhe e sigurt të fillojmë të vaksinojmë grupet e riskuara, 20 % të popullatës. Do të jenë 1 milion e 140 mijë doza vaksine, të cilat do të prokurohen nëpërmjet kësaj marrëveshje”,  tha Manastirliu gjatë fjalës për ratifikimin e marrëveshjes me Aleancën Gavi, ku Shqipëria është përfshirë në instrumentin Covax, për sigurimin e vaksinës së sigurtë.

Gjatë fjalës saj Manastirliu tha se kërkohet që të gjithë të rezistojmë, që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të gjithë së bashku t’i rikthehemi normalitetit.

“Kemi nevojë që të jemi sërish të gjithë së bashku, të rezistojmë në këtë luftë të përditshme dhe të mundësojmë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet, ta bëjmë këtë për vete, për familjet tona, ta bëjmë këtë për mjekët dhe infermierët në të gjithë sistemin shëndetësor që janë duke sakrifikuar veten e tyre për t’i shërbyer qytetarëve dhe të mundësojmë që të ringrihemi së bashku”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se na presin 4 muaj të vështirë dhe apeloi për respektimin e masave të vendosura.

“Do të jenë 4 muaj të vështirë, do duhet të përgatitemi, të jetojmë në këtë normalitet të ri, të mundemi të vetëdijësohemi aq shumë për situatën sa të kemi mundësi të heqim dorë edhe nga ato takimet e shumta familjare që mund të bëjmë, sepse është një mundësi më shumë për të shtuar kontaktet, një mundësi më shumë për të përhapur virusin”, apeloi Manastirliu.