Politikë

Manastirliu i përgjigjet Bashës: Bilanci bëhet në fund, shifrat e pandemisë nuk ngatërrohen si veprimet aritmetikore

Manastirliu i përgjigjet Bashës: Bilanci bëhet në fund,

Pas akuzave të kreut të Partisë Demokratike se nuk është menaxhuar mirë situata e Covid-19 në vend, ka reaguar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Përmes një statusi në “Facebook”, ministrja i kërkon kreut të demokratëve të reflektojë mbi faktet të cilat hedhin dritë mbi menaxhimin që qeveria i ka bërë pandemisë.

Manastirliu rendit 5 pika, ku thekson se numri i testimeve është dyfishuar dhe mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore nuk kanë munguar.

Ajo shton se bonusi prej 1000 Euro për mjekët, infermierët, epidemiologët dhe 500 Euro për sanitarët, shoferët e autoambulancave, është realitet dhe se shifrat zyrtare të pandemisë nuk mund të ngatërrohen me të njëjtën lehtësi si veprimet e thjeshta aritmetikore.

-Prej muajit korrik, numri i testimeve është dyfishuar dhe do të vijojë të rritet bazuar në strategjinë tonë për kufizimin e përhapjes së virusit, të hartuar nga ekspertët e Komitetit Teknik në zbatim të rekomandimeve të OBSH. Mbi këtë Strategji bazuar në nevojat reale ekipet e shëndetësisë në terren, testojnë, gjurmojnë dhe izolojnë cdo rast të dyshuar, duke berë të mundur që mbi 80% e rasteve të izolohen brenda 48 orëve.

-Ka një arsye përse Shqipëria ka sot përqindjen më të ulët të mjekëve dhe infermierëve, që janë infektuar, për shkak të Covid19. Nëse do të pyesë stafet mjekësore që shërbimin ua ofrojnë qytetarëve tek koka e krevatit, dhe jo nëpërmjet dritares së Facebook-ut, me siguri do të mësonte se Shqipëria është ndër të paktët vende të rajonit ku mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore nuk kanë munguar për as edhe një sekondë, që kur u shfaqën rastet e para të infeksionit në Shqipëri.

-Shifrat zyrtare të pandemisë nuk mund të ngatërrohen me të njëjtën lehtësi si veprimet e thjeshta aritmetikore. Grafikët që ndihmojnë për interpretimin e këtyre shifrave, duhet të lexohen ashtu siç janë dhe jo të përmbysur. Shifrat reale, ato që mjekët e strukturave drejtuese të partisë së Z. Basha nuk ia thonë, e nxjerrin Shqipërinë në një pozicion më të mirë – aspak më të keq – se sa shumë vende të rajonit, në këtë luftë që ende nuk ka përfunduar dhe bilanci i së cilës, bëhet vetëm në fund.

-Bonusi prej 1000 Euro për mjekët, infermierët, epidemiologët dhe 500 Euro për sanitarët, shoferët e autoambulancave, është realitet prej shtatë muajsh dhe do të zgjasë deri ditën e fundit të kësaj pandemie.

-E fundit, sa për pagat e mjekëve, ata janë shumë të kthjellët për të bërë dallimin mes një rritjeje prej 40% që po bëhet realitet, dhe premtimeve, të cilave po t’u besosh sot, është njësoj si të shohësh shinat e hekurta të tramvajit nëpër rrugët e Tiranës.

Kujtojmë se më herët kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi qeverinë se nuk ka menaxhuar situatën e pandemisë së koronavirusit dhe  nëse ai do të ishte kryeministër  do ta niste nga sistemi shëndetësor tek mbështetja për qytetarët në nevojë dhe më pas bizneset.

Eksperti i Shëndetësisë në PD,Gazment Koduzi ka replikuar së fundmi me Ministren e Shëndetësisë, Manastirliu pasi kjo e fundit iu përgjigj Bashës për menaxhimin e pandemisë nga qeveria.

“Qeveria e ka kthyer mashtrimin e qytetarëve në mjetin kryesor të komunikimit. Ogerta Manastirliu është kampione në këtë fushë, sigurisht, pas Edi Ramës. Plani me 5 pika për përballimin e krizës nga pandemia, i prezantuar nga Kryetari Basha sot, është serioz dhe konkret. Ogerta Manastirliu gënjen në çdo fjalë që thotë”, shkruan Koduzi në reagimin e tij.