Merr sot drejtimin e NATO-s: Kush është Mark Rutte, personalisht dhe profesionalisht
Mark Rutte nuk është idealist.
Në fakt ai është i gatshëm për çdo gjë për të arritur atë që do, siç demonstron marrëveshja e arritur me kryeministrin hungarez, Viktor Orbán, të cilit në këmbim të mbështetjes së tij për nominimin, ai i siguroi se nuk do ta detyrojë vendin të marrë pjesë në planet e reja të aleancës për të mbështetur Ukrainën.
I lindur në Hagë 57 vjet më parë, Mark Rutte është djali i një tregtari dhe një sekretareje.
Ai u diplomua për histori në Leiden dhe ka qenë lider i liberalëve të rinj të Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD).
Ndërsa filloi një karrierë të shkurtër si menaxher i burimeve njerëzore në Unilever dhe Calvé, ai filloi të ngjitej në partinë e tij, të cilën më pas e drejtoi nga viti 2006 në 2023, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë në vendin e tij.
1.94 metra i gjatë, protestant, i pamartuar, me shtatë vëllezër, njëri prej të cilëve vdiq nga SIDA, Rutte njihet për jetën e tij modeste.
Ai jeton në të njëjtën shtëpi në Hagë që e bleu në moshë të re dhe lëviz me biçikletë për të shkuar në punë. Madje si kryeministër ai vazhdoi të jepte mësime sociale në një shkollë të mesme një herë në javë.
Një negociator i mirë? Janë dy lëvizje të fundit për të cilat ai është më i kritikuar.
Njëra është pikërisht mënyra shumë lajkatare në të cilën ai mori Po-në e ngurruesit Orban për emërimin e tij në NATO.
Ai i shkroi një letër në të cilën i kërkonte disi falje për komentet e bëra në 2021 kundër politikave anti-LGBTQ.
“Ose respektoni rregullat ose largohet nga BE. Duhet ta gjunjëzojmë”, tha ai asokohe.
Në vend të kësaj, në fund ai u ul në gjunjë dhe e siguroi Orbanin se si kreu i Aleancës do të punojë “për të ruajtur unitetin dhe për t’i trajtuar të gjithë aleatët me të njëjtin nivel mirëkuptimi dhe respekti”.
“Ai është shumë i mirë për të kërkuar falje – shpjegon Petra De Koning, gazetare e Nrc-së dhe autore e një biografie të botuar në vitin 2020 – Ashtu siç është i mirë për të studiuar të tjerët dhe për të kuptuar atë që është e rëndësishme për ta: a duan komplimente?”A duan të përqafohen?
A duan që ai të tregohet i përulur, siç bëri me Erdoganin në Stamboll (gjithmonë për të marrë OK për emërimin e tij në NATO)?
Nuk ka një ego të madhe, edhe pse ndonjëherë ka shpërthime zemërimi në prapaskenë.
Si kryeministër ai ishte jashtëzakonisht fleksibël.
Ai punoi me të majtën dhe të djathtën për të qëndruar në pushtet.
Liberalizmi i tij në thelb është: lërini njerëzit të jetojnë jetën e tyre si të duan, përderisa respektojnë ligjin.