Politikë

Mesazhi i Bashës për kandidatët e tjerë: Të bashkojmë energjitë kundër regjimit

Mesazhi i Bashës për kandidatët e tjerë: Të

Kryetari i sapo rizgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë për mediat nga selia blu, ashtu si zakonisht, plot dy orë pas momentit kur ishte njoftuar zyrtarisht se deklarata do të jepej (në orën 18:45).

Basha e ka interpretuar fitoren e tij një mesazh të qartë të demokratëve për vazhdimin e “luftës kundër regjimit Rama-Doshi” dhe ka ftuar kandidatët e tjerë me të cilët tha se ndan “parime të njëjta”, për të kanalizuar të gjitha përpjekjet dhe energjisë kundër Ramës.

“Në fund të kësaj gare, ne nuk gëzohemi për fitoren e një kandidati, apo zgjedhjen e një kryetari të ri, por të gjithë bashkë ne kremtojmë vlerat që na bashkojnë, ato që janë në themel të kësaj familje politike. Ato të garës, demokracisë dhe meritokracisë. Ne sigurisht që duhet dhe do t’i përsosim dhe më shumë në muajt në vijim. Edhe një herë falenderime nga zemra.

Mirënjohja ime shkon edhe për kandidatët e tjerë që bënë këtë garë sfiduese dhe të vërtetë. Për secilin prej tyre kam një mesazh: Ne kemi mendime të ndryshme, por parime të njëjta! Prandaj jam i bindur se nga sot energjitë dhe përpjekjet tona do të shkojnë në drejtim të kundërshtarit të vetëm të PD dhe shumicës të shqiptarëve, regjimin Rama-Doshi.

Ky rezultat ishte mesazh i qartë për vazhdimin e misionit për të cilin jemi krijuar si parti, për të rrëzuar regjimet dhe totalitarizmin”- ka thënë mes të tjerash Basha.

Tiranapost.al