Politikë

Mesazhi i parë i ambasadores së BE-së në Tiranë për shqiptarët

Mesazhi i parë i ambasadores së BE-së në Tiranë

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Christiane Hohmann, e cila nisi misionin e saj në Shqipëri këtë javë, ka shpërndarë një mesazh në Twitter ku shprehet se mezi pret të punojë me institucionet shqiptare për të bërë Shqipërinë pjesë të BE-së.

“Shqipëria sapo ka nisur një kapitull të ri në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Hapja e negociatave na afron më shumë dhe na bën më të fortë. Na ofron mundësi të shkëlqyera për të konsoliduar progresin e arritur dhe thellimin e transformimit të vendit tuaj. Unë mezi po pres të punoj me ju, institucionet shqiptare, forcat politike, shoqërinë civile dhe qytetarët për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian”, thekson Hohmann në mesazhin e saj drejtuar shqiptarëve.

Kush është Christiane Hohmann?

Christiane Constanze Hohmann ka lindur në 10 shtator të 1964-ës në Potsdam.

Christiane ka përfunduar studimet për anglisht dhe frëngjisht në Berlin dhe ka studiuar gjithashtu letërsinë angleze.

Në vitin 1994-1997 ka punuar në Ambasadën e SHBA-së. Më pas punoi në Zyrën e Jashtme Federale midis viteve 1997 dhe 2000 dhe si përfaqësuese e përhershme e ambasadorit në Kamerun nga viti 2000 deri në 2003.

Hohmann punoi në Komisionin Evropian në Bruksel nga 2005 deri në 2010 . Më pas sërish në Ambasadën e SHBA ndërmjet viteve 2010 dhe 2013 dhe, pas kthimit të saj, drejtoi një departament në Ministrinë e Jashtme Federale nga viti 2013 deri në vitin 2016.

Në vitin 2016 Christiane Hohmann zëvendësoi Christian Hellbach si Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Bosnje dhe Hercegovinë . Në korrik 2019 ajo u transferua në Ambasadën Gjermane në Talin/Estoni.