Politikë

Meta meriton të shkarkohet, por iu nënshtruam Venecias!

Meta meriton të shkarkohet, por iu nënshtruam Venecias!

Kryeministri Edi Rama komentoi raportin e Komisionit Hetimor, përfundimi i të cilit është kundër shkarkimit të Presidentit Meta, me arsyen se shkeljet nuk e justifikojnë. Rama u shpreh se kreu i shtetit meriton të shkarkohet, por për këtë qëndrim ata iu nënshtruan Komisionit të Venecias. Kryeministri bëri edhe një krahasim mes Metës dhe paraardhësit të tij Bujar Nishani, ndërsa veç shkeljeve u ndal edhe tek mitingu i presidentit kundër qeverisë.

Pjesë nga fjalimi i Ramës:

S’e kemi konsideruar ndonjëherë Venecian si aneks të punës sonë por si pikë referimi. Uji i Venecias nuk ka nxjerrë të lartë presidentin, por ka nxjerr në pah të gjitha shkeljet. Shkeljet janë me natyre politike dhe të njëanshme për t’u sjell si tutor i opozitës. Meta meriton të shkarkohet sipas vlerësimit tonë, por përderisa kemi këtë rekomandim nga Venecia, i nënshtrohemi.

Unë nuk e kisha parapara që do ishte aq i mirë për opozitën sa do bëhej i keq për Shqipërinë. Me akte vandale kundër kushtetutës. Para Metës, Bujar Nishani duket si George Washington. Nëse e ndajmë në dy pjesë, të statuseve dhe intervistave pa frena dhe atë të firmave si president në funksion të kryerjes së detyrës, ai i statuseve ishte një sëkëlldi për kushtetutën dhe shoqërinë në pikëpamje të qenit simbol i unitetit. Ndërsa ai i procedurave dhe firmave të hedhura si president ishte absolutisht në rregull me kushtetutën. Të gjithë mund të themi për gjithë presidentët me radhe dhe jo për metën. E ka kthyer në seli të operacioneve politike të njëanshme dhe në një vatër të hedhjes në zjarr duke përdorur kushtetutën si letër dhe mllefin tij ndaj kësaj shumice si benzinë.

Është i pari dhe uroj i fundit president shqiptar që del në miting. President i një republike parlamentare në miting për të kërkuar nga populli të rrëzojë qeverinë është sa pa imagjinueshme aq dhe qesharake. Nëse Meta se ka problem të bëhet qesharak, ne s’mund të bëhemi dot joserioz.